Suspendohet një edukatore në Lipjan, nga kopshti thonë se s’kanë çfarë të fshehin

Gjatë ditës së djeshme është raportuar për një rast të dhunës në një nga kopshtet private të Lipjanit.
Shaban Avdyli pretendon se mbesa e tij u sulmua nga edukatorja, Behare Gashi.
‘’Si dajë, jam i tronditur dhe shumë i lënduar për mbesën time. Sot në mëngjes në çerdhe, mësuesja Behare Gashi ka rrëzuar për tokë dhe ajo ka marrë lëndime serioze në fytyrë. Kjo nuk duhet t’i ndodhë asnjë fëmije’’, ka shkruar Avdyli.
Indeksonline ka kontaktuar kopshtin ‘’MAMA KIDS ACADEMY’’ ku edhe Behare Gashi ushtronte rolin e edukatorës.
Për Indeksonline nga kopshti në fjalë thanë se tashmë deklaratat janë dhënë në organet e rendit.
‘’Deklaratat i kemi dhënë në polici, prokuroria është duke u marrë me këtë pjesë’’, kanë thënë fillmisht nga kopshti për Indeksonline.
Më tej nga kopshti janë shprehur se tashmë edukatorja Behare Gashi është suspenduar nga puna.
‘’Edukatorja më nuk është më pjesë e stafit tonë, për momentin e kemi pezulluar nga puna për shkak se me qenë sa ma transparent me prindin e vajzës në fjalë’’, thonë nga ‘’MAMA KIDS ACADEMY’’ për Indeksonline.
‘’Ja kemi lënë komplet shtetit në dorë, nuk kemi çka me msheh’,’ thuhet më tutje.
Lidhur me rastin janë deklaruar nga Policia e Kosovës.
“Dje rreth orës 15:00 në stacionin policor në Lipjan është iniciuar një rast lëndim trupor. Ankuesja dhe e dyshuara janë intervistuar. Rasti po trajtohet në procedurë të rregullt përkitazi me udhëzimet e prokurorit të shtetit”, ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënëse e policisë në rajonin e Prishtinës.