75 Mall Live Search
12:14 / E Martë, 07 Tetor 2025 / P M

Kapet kolagjeni në kufi tentativë për shmangie doganore në Vermicë

Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të tentativës për shmangie të obligimeve doganore në Pikëkalimin Kufitar në Vermicë, gjatë kontrolleve të rregullta në hyrje të Republikës së Kosovës.

Gjatë një kontrolli të detajuar në vijën e dytë, zyrtarët doganorë kanë zbuluar 153 pako me pluhur kolagjeni (nga 200 gram secila), të cilat ishin të vendosura në bagazhin e një automjeti, pa asnjë dokumentacion përcjellës apo faturë përkatëse. Pala kishte deklaruar fillimisht se nuk kishte mallra për të deklaruar, çka përbën tentativë për shmangie doganore.

Sipas procedurave ligjore, malli është ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave të mëtejshme, ndërsa ndaj palës është inicuar procedurë për kundërvajtje, në përputhje me nenin 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës.

Dogana e Kosovës thekson edhe një herë përkushtimin e saj për të parandaluar kontrabandën dhe shmangien e detyrimeve doganore, si dhe për të garantuar një treg të drejtë dhe të kontrolluar për të gjithë qytetarët dhe bizneset në vend.