Pensionohet Jordi Alba

Fundi i këtij sezoni do të shënojë edhe fundin e karrierës së tij!
Jordi Alba, ka njoftuar zyrtarisht pensionimin nga futbolli profesionist, duke i dhënë fund një karriere të lavdishme që zgjati mbi 15 vite në nivelet më të larta të këtij sporti.
36-vjeçari, i njohur për shpejtësinë, saktësinë në pasime dhe kontributin e jashtëzakonshëm si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në atë sulmuese, bëri të ditur vendimin përmes një deklarate emocionale, ku falënderoi klubet ku ka luajtur, përfshirë Barcelonën dhe Inter Miami, si dhe kombëtaren spanjolle, shkruan IndeksOnline.
Alba ka qenë një figurë kyçe për Barcelonën për më shumë se një dekadë, duke fituar një sërë trofesh përfshirë 5 tituj të La Ligës, 5 Kupa të Mbretit, dhe 1 Ligë të Kampionëve.
Me kombëtaren spanjolle, ai ishte pjesë e skuadrës që fitoi Euro 2012, ku u shqua me një gol në finalen kundër Italisë.
Në vitin 2023, Alba u transferua te Inter Miami në MLS, ku u ribashkua me bashkëlojtarët e tij të dikurshëm, Lionel Messi, Luis Suarez dhe Sergio Busquets.
Sërish krahas Messit, si në kohërat e vjetra, ai kontribuoi në ngritjen e profilit të klubit amerikan dhe në suksesin e tij të menjëhershëm.
Mbrojtësi i majtë që shpërtheu si kometë në skenën botërore me shpërthimet e tij në krah, pasimet kirurgjikale dhe bashkëpunimin telepatik me Leon, tani përfundimisht po varë këpucët.
Kontributin e tij në fushën e blertë e kanë çmuar lart si Barcelona e Inter Miami, ashtu edhe bashkëlojëtarë të shumtë të spanjollit./IndeksOnline/