75 Mall Live Search
12:51 / E Mërkurë, 08 Tetor 2025 / MSH

Nxirren trupat e 4 viktimave nga ndërtesa, që u shemb në qendër të Madridit

Autoritetet lokale njoftuan zyrtarisht se shërbimet spanjolle të emergjencës kanë nxjerr trupat e katër personave nga rrënojat e një ndërtese gjashtëkatëshe që u shemb në qendër të Madridit, ndërsa po rinovohej në një hotel.

“Me trishtim të thellë konfirmojmë se zjarrfikësit e Madridit kanë nxjerr trupat e personave që u zhdukën pas shembjes”, shkroi kryebashkiaku Jose Luis Almeida në X.

Viktimat janë identifikuar si tre burra të moshës midis 30 dhe 50 vjeç nga Ekuadori, Mali dhe Guinea-Konakri dhe të punësuar në vend si punëtorë ndërtimi, si dhe një grua 30-vjeçare, arkitektja e projektit të rinovimit, raporton Reuters-i.

Eshtrat e tyre u gjetën herët të mërkurën, gati 15 orë pas shembjes së strukturës së brendshme të ndërtesës që la fasadën e saj të paprekur, në një operacion kërkim-shpëtimi në të cilin policia dhe zjarrfikësit përdorën dronë dhe qen nuhatës.

Tre punëtorë të tjerë ndërtimi u plagosën.

Një punëtor ndërtimi i quajtur Mikhail po pomponte beton në katet e poshtme të ndërtesës dhe ishte jashtë kur ndodhi shembja. Ai tha se pa një re të madhe pluhuri dhe menjëherë iku me vrap.

“Isha i pari që vrapova, nuk më interesonte asgjë tjetër. Do të shpëtoj jetën time më parë dhe, nëse mundem, do të shpëtoj të tjera më vonë”, u tha ai gazetarëve të martën.

Sipas regjistrit online të ndërtesave në ndërtim e sipër të Madridit, prona është ndërtuar në vitin 1965. Ajo iu nënshtrua dy inspektimeve teknike në vitin 2012 dhe 2022 dhe u klasifikua si “e pafavorshme” për shkak të “gjendjes së përgjithshme të fasadës, pjesës së jashtme, mureve ndarëse, çatisë, tarracave të çatisë dhe sistemit hidraulik dhe të kanalizimeve”.

Ish-ndërtesa e zyrave, e vendosur në një zonë të qendrës së Madridit të njohur me turistët pranë Teatrit të operës dhe pallatit mbretëror, po shndërrohej në një hotel me katër yje nga zhvilluesi Rehbilita, sipas informacionit në faqen e saj të internetit. Rehabilita nuk iu përgjigj një kërkese të Reuters-it për koment.

Prona i përket fondit saudit RSR, një investitor pasurish të paluajtshme i specializuar në hotele luksoze dhe apartamente turistike në Spanjë dhe Portugali. RSR e bleu atë për 24.5 milionë euro, në vitin 2022.

Rinovimi i tij, i miratuar nga autoritetet bashkiake në dhjetor 2024, pritej të zgjaste dy vjet.