Trump thotë se pengjet do të lirohen javën e ardhshme

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se do të tentojë të shkojë në Egjipt për nënshkrimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gazë, duke shtuar se pret që Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – të lirojë pengjet të hënën ose të martën.
Duke folur gjatë mbledhjes së kabinetit të enjten, Trump tha se marrëveshja mes Izraelit dhe grupit radikal palestinez i “ka dhënë fund luftës në Gazë” dhe do të çojë në paqe më të gjerë në Lindjen e Mesme.
“Kemi arritur lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura dhe ata duhet të lirohen të hënën ose të martën”, tha Trump gjatë mbledhjes me sekretarët e tij në Shtëpinë e Bardhë.
Por, Trump shtoi se trupat e disa pengjeve të vdekura do të jetë “vështirë që të gjenden”.
Palestinezët festojnë në rrugë pas lajmit se Izraeli dhe Hamasi janë pajtuar për fazën e parë të planit të presidentit të SHBA-së Donald Trump për Gazën, në Han Junnis, në Rripin jugor të Gazës, më 9 tetor 2025.
Trump njoftoi për planet për të udhëtuar për në Lindjen e Mesme edhe para se të zbulonte fazën e parë të planit të paqes të mërkurën, por tha se po bëhen përgatitje për një ndalesë të mundshme në Egjipt.
Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, tha më herët se e kishte ftuar homologun e tij amerikan të marrë pjesë në një “ceremoni që do të mbahet në Egjipt” për marrëveshjen e fazës së parë të armëpushimit.
Trump tha se po ashtu pret që të vizitojë Izraelin, duke shtuar se është ftuar që t’i adresohet Parlamentit izraelit.
Pas mbledhjes së kabinetit, nga Zyra Ovale, Trump tha për gazetarët se do të niset drejt Lindjes së Mesme të dielën.
Presidenti amerikan ka dhënë pak detaje për fazën e dytë të marrëveshjes së paqes dhe për të ardhmen e Gazës.
Ai tha se “do të ketë çarmatosje dhe tërheqje” – që duket se është referencë për kërkesën e Izraelit që Hamasi të çarmatoset dhe thirrjeve të grupit radikal palestinez që Izraeli të tërheqë trupat nga Gaza.
Trump shtoi se Gaza “ngadalë do të rindërtohet”, duke lënë të kuptohet se shtetet arabe do të ndihmojnë në rindërtim, por edhe ka mundësi që ato të marrin pjesë në përpjekjet paqeruajtëse.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të mërkurën vonë se Izraeli dhe Hamasi e arritën marrëveshjen e shumëkërkuar për armëpushim në Gazë dhe për lirimin e pengjeve, sipas planit të tij për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare në enklavën palestineze.
Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 67.000 palestinezë dhe banorët po përballen me krizë humanitare.