75 Mall Live Search
11:35 / E Premte, 10 Tetor 2025 / P M

BE-ja dhe Kosova mbajtën takimin e grupit të veçantë për reformën e administratës publike

Bardhyl Dobra, zëvendësministër në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Julien Crampes, zëvendësshef i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore të Komisionit Evropian, Njësia për Serbinë dhe Kosovën, bashkëkryesuan në Prishtinë takimin e 13-të të grupit të veçantë BE-Kosovë për reformën e administratës publike (RAP).

Në komunikatë thuhet se takimi, në të cilin morën pjesë përfaqësues të KE-së dhe Kosovës, u përqendrua në planet dhe progresin e bërë nga autoritetet kosovare drejt sigurimit të një shërbimi civil profesional, me llogaridhënie të shtuar dhe siguri më të lartë ligjore në lidhje me ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

Më tej, “Në linjë me raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2024 dhe angazhimet për reforma të ndërmarra nga Kosova në kuadër të Planit të reformës dhe rritjes, komisioni e inkurajoi Kosovën të përshpejtojë zbatimin efikas të strategjisë së RAP-it dhe asaj për menaxhimin e financave publike, duke përfshirë konsultimet e rregullta me publikun dhe shoqërinë civile. Me kornizën ligjore të rishikuar për shërbimin publik të Kosovës, e cila prezanton një sërë reformash gjithëpërfshirëse që po zbatohen gradualisht, përfaqësuesit e KE-së theksuan rëndësinë e adresimit të sfidave të vazhdueshme, në veçanti lansimin e një sistemi të centralizuar të rekrutimit në shërbimin publik, zvogëlimin e numrit të emërimeve menaxheriale në detyrë dhe përfundimin e hapave të nevojshëm për zbatimin e reformës së pagave. KE-ja përshëndeti përparimin e shënuar në zbatimin e agjendës digjitale dhe të strategjisë së qeverisjes elektronike për të përmirësuar më tej ofrimin e shërbimeve të orientuara drejt qytetarëve dhe të programit të zvogëlimit të barrës administrative”.

Në kuadër të raportimit mbi përparimin e bërë, Kosova prezantoi raportin e vitit 2024 për menaxhimin e burimeve njerëzore, i cili u publikua për herë të parë në shtator të vitit 2025. Bazuar në këtë raport, Kosova informoi se rekrutimet e grave dhe të rinjve u rritën në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 dhe procedurat e rekrutimit tërhoqën një numër më të lartë aplikantësh.

Kosova mbetet e angazhuar që të zbatojë plotësisht strategjitë e saj për RAP dhe MFP dhe të sigurohet që ato të arrijnë objektivat e tyre sipas planit.

Kosova dhe Komisioni Evropian u pajtuan që ta rrisin më tej bashkëpunimin, duke përfshirë edhe në nivelin teknik, në mënyrë që reformat e ndërmarra të zbatohen plotësisht dhe atë sa më shpejt që është e mundur.

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) shërben si kornizë e BE-së dhe administratës së Kosovës për të diskutuar rregullisht çështjet teknike dhe të politikave përkitazi me reformat që lidhen me BE-në. Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim-Asociimit, të ndihmuar nga Komiteti i Stabilizim-Asociimit, si dhe Nënkomitetet e MSA-së, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë të acquis-it të BE-së. Mbledhjet e organeve të MSA-së ofrojnë kontribut të drejtpërdrejtë për raportet vjetore të Komisionit Evropian.

• Në çdo mbledhje të nënkomiteteve monitorohet dhe përcillet zbatimi i reformave nga ana e Kosovës dhe identifikohet se si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces.

• Shtatë fusha mbulohen përmes mbledhjeve sektoriale të nënkomiteteve – Drejtësia, Liria dhe Siguria; Inovacioni, Shoqëria e Informacionit, Politikat Sociale, Arsimi dhe Kultura; Tregtia, Industria, Dogana dhe Tatimet; Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit; Bujqësia, Peshkimi, Pylltaria, Siguria Ushqimore; Transporti, Mjedisi, Energjia, Ndryshimet Klimatike dhe Zhvillimi Rajonal; Çështjet Ekonomike dhe Financiare, Statistikat.

• Dy fusha të tjera të mbuluara përmes mbledhjeve të grupeve të veçanta janë reforma e administratës publike dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

• Mbledhjet e Komitetit dhe Nënkomiteteve të MSA-së bashkëkryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Çdo takim rezulton në veprime pasuese të dakorduara bashkërisht që duhet të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. Koha ndërmjet takimeve lejon zbatimin e rekomandimeve dhe të veprimeve pasuese të dakorduara.