75 Mall Live Search
08:04 / E Diele, 12 Tetor 2025 / BA

DW: Mission Impossible në Paris, Lecornu sërish kryeministër

Në fund të një jave plot kthesa tani francezët të paktën e dinë, që Emmanuel Macron nuk do ta zgjidhë krizën që ka mbërthyer prej muajsh politikën – as me shpërbërjen e Asamblesë Kombëtare dhe as me dorëheqje. Në vend të kësaj presidenti Emmanuel Macron përsëri ngarkoi me krijimin e qeverisë kryeministrin në detyrë Sébastien Lecornu.

Karta e fundit e Macron-it?

Riemërimi i Lecornu-s tani shuan shpresën e partisë socialiste (PS), që më në fund të mund ta ketë ajo nga radhët e veta kryeministrin. Që nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare në verën 2024 Macron nuk ka më forcë politike në Asamblenë Kombëtare me një shumicë të mjaftueshme.

Megjithatë aleanca Nouveau Front populaire (NFP – Fronti i ri Popullor) që konkuroi në zgjedhje si aleancë e socialistëve me komunistët, ekologjistët dhe populistët e majtë të La France Insoumise (LFI) ka më shumë mandate se sa dy blloqet e tjera të mëdha –  partia e djathtë nacionaliste Rassemblement National (RN) e Marine Le Pen dhe Jordan Bardella si dhe kampi i presidentit i zgjeruar edhe me republikanët konservatorë (LR).

Macron deri tani i ka varur shpresat tek një kryeministër nga radhët e veta. Por si Michel Barnier (LR) ashtu edhe François Bayrou u rrëzuan nga parlamenti. Pra a nuk ka ardhur koha për një kohabitacion – një bashkëpunim të presidentit me kampin kundërshtar? Ndërsa një aleancë me populistët e majtë të LFI është e përjashtuar, një marrëveshje me socialistët mund të ishte e mundshme.

Mission Impossible për Lacornu

Të premten (10.10.2025) Macron ftoi në pallatin Élysée personelin drejtues të partive me përjashtim të LFI-së dhe RN-së, për të gjetur një zgjidhje ndaj bllokadës politike. Javën e ardhëshme duhet të kalojë në parlament buxheti për vitin 2026, në mënyrë që të respektohet afati kushtetues. Agjencitë e vlerësimit të riskut dhe përfaqësues të ekonomisë janë të shqetësuar për stabilitetin në Francë në sfondin e borxheve të larta shtetërore dhe zhvillimeve politike.

Tensionet ndizen kryesisht lidhur me tema, që prej vitesh po e përçajnë Francën: politika sociale, mosha e pensioneve dhe disiplina buxhetore. Por ndryshe nga Gjermania ku në rend të ditës janë kompromiset përtej kufijve partiakë, në Francë mungon tradita për aleanca të zgjeruara qeveritare.

Kursi i kursimeve i qeverive të deritanishme i parashikuar për vitin e ardhshëm, i kalon limitet për socialistët, ndërsa Macron refuzon strikt, përkundër rezistencës së madhe, tërheqjen ose pezullimin e reformës tashmë të miratuar të pensioneve.

Tani e gjitha varet nga socialistët

Socialistët, votat e të cilëve mund të vendosin për fatin e qeverisë së re, e kanë rritur presionin ndaj presidentit. Nëse Lecornu nuk e “pezullon menjëherë dhe plotësisht reformën e pensioneve”, ai do të rëzohet nga parlamenti, deklaroi sekretari i përgjithshëm i PS-së Pierre Jouvet të shtunën (11.10.2025) për agjencinë e lajmeve AFP.

Në deklaratën e tij qeveritare kryeministri duhet gjithashtu të deklarojë, se nuk do ta përdorë nenin e diskutueshëm 49.3, që lejon miratimin e buxhetit pa votën e parlamentit. “Nëse nuk vepron kështu”, thotë Jouvet, “deputetët nuk do t’ia japin atij votëbesimin.”

Vëzhguesti bëjnë fjalë për një akrobaci politike në Paris. Lecornu nuk mund të veprojë duke e injoruar tërësisht të majtën – njëkohësisht ai nuk duhet të tregojë asnjë dobësi kundrejt kampit të presidentit.

“Ai la të kuptohet, se për tolerim ose pjesëmarrje të së majtës mund ta pezullojë reformën e pensioneve, e cila parashikon rritjen graduale të moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç, analizon Jacob Ross nga Shoqata gjermane për Politikën e Jashtme (DGAP) – një “sinjal fatal”, sikurse thekson eksperti për Francën.

Po troket ora e Le Pen 

Ende është e hapur, se si do të jetë kabineti II i Lacornu-s. Presioni ndaj kryeministrit dhe presidentit është masiv – jo vetëm nga e majta. Ditët e fundit disa të besuar të Macron-it janë distancuar nga presidenti. Ish-kryeministri Édouard Philippe, partia e të cilit Horizons deri tani kishte ministra, kërkon madje dorëheqjen e presidentit. Ministri i Brendshëm Bruno Retailleau, njëkohësisht edhe kryetari i republikanëve, ka deklaruar, se nuk do të jetë më pjesë e kabinetit të ri, edhe ministra të tjerë po tentojnë hapur të tërhiqen.

Marine Le Pen e ndjek ndërkohë këtë teatër politik nga një distancë e sigurtë. Në kongresin e 131 kombëtar të forcave të zjarrfikësve në provincë ajo prezantohet e afërt me popullin, vlerëson rekrutët e rinj dhe kërkon pajisje më të mira për forcat operative. Shefi i RN-së Jordan Bardella konsideron se Macron në Élysée “është më i izoluar dhe më i vetmuar se asnjëherë tjetër”. Ai e quan qeverinë e re “një shaka të shëmtuar, një turp demokratik dhe një poshtërim për francezët”. Në platformën X ai njëkohësisht deklaron, se do ta rëzojë sa më shpejt të jetë e mundur kabinetin qeveritar. Le Pen dhe Bardella kërkojnë zgjedhje të reja, ose dorëheqjen e presidentit.

Teatër politik

“Sonte në mbrëmje e konsideroj misionin tim si të përfunduar”, deklaroi Sébastien Lecornu të mërkurën në mbrëmje në edicionin qendror të lajmeve që ndiqet nga një publik milionash. Kthimin e tij pas tri ditësh, që vetëm sa mund t’i shtyjë zgjedhjet e parakohshme, ai nuk e ka aspak me eufori, mendojnë shumë vëzhgues. Por sidoqoftë Lacornu pas riemërimit në platformën X deklaroi të premten: “Unë e pranoj – nisur nga ndjenja e përgjëgjësisë – misionin që më ka besuar presidenti”. Eshtë një mision “i vështirë, por një rrugë që mund të përshkohet”.

Shumë francezë ndërkaq nuk mund ta marrin seriozisht këtë teatër politik. Besimi tek institucionet, thotë eksperti Ross, ka rënë ndjeshëm. Kjo raskapitje politike pasqyrohet edhe në sondazhe. Rassemblement National ndërkohë me 35 përqind do t’i fitonte qartazi që në raundin e parë zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke lënë pas si aleancën e majtë ashtu edhe kampin e Macron-it.

Gjithnjë e më shumë qytetarë reagojnë të shtangur ndaj këtyre përçapjeve në Paris dhe kërkojnë që të ketë konseguenca. Sipas sondazheve të fundit dy të tretat e francezëve kërkojnë dorëheqjen e presidentit. Por Macron e përjashton këtë. Ai thotë, se do ta përmbushë mandatin e tij deri në pranverën e vitit 2027, kështu i ka siguruar ai të premten në pallatin Élysée kryetarët e partive.