Qytetarët e Deçanit votojnë me shpresë për një të ardhme më të mirë

Katërmbëdhjetë qendrat e votimit në komunën e Deçanit janë hapur me kohë dhe procesi zgjedhor për zgjedhjet komunale të 12 tetorit në këtë komunë po shkon pa ndonjë parregullsi.
Në këto tri orë të para të procesi zgjedhor deçanasit po vijnë të votojnë.
Ushtruesi i detyrës së zyrtarit ekzekutiv i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, Fatmir Cacaj tha se procesi zgjedhor po shkon mirë dhe në ora 07:00 janë hapur të gjitha qendrat e votimit në Deçan.
“Ne kemi hapur qendrat e votimit ashtu siç janë paraparë edhe me ligj në ora 07:00 deri më tani procesi ka shkuar mirë nuk kemi pas asnjë parregullsi… me material jemi pajisur me kohë dhe kemi bërë shpërndarjen e tyre ashtu siç e kemi paraparë në rregullore… edhe pse jemi në orën e para të mëngjesit interesimi mireë është njëherë”, tha ai.
Cacaj tha se libri i statistikave po mungon por po mbajnë shënimet e nevojshme.
“Libër të statistikave nuk kemi por ne mbajmë si shënim të brendshme statistikat e nevojshme”, ka thënë ai.
Menaxheri i Qendrës së Votimit “Vëllezërit Frashëri”, e cila është qendra më e madhe e votimit në Deçan, Hamit Qorraj deklaroi se edhe në këtë qendër votimi procesi zgjedhor ka nis me kohë dhe nuk është regjistruar deri tani asnjë parregullsi.
Ai thotë se deri tani nuk ka pas numër të madh të qytetarëve që kanë votuar.
“Procesi ka nis mirë dhe mbarë sipas procedurave në ora 07:00 është hapur gjithsej në këtë shkollë i kemi 6 vendvotime me një numër të votuesve të mundshëm 5 mijë e 114 votues. ..Procesi është duke shkuar mirë dhe mbarë deri tani interesimi ka qenë i vogël por besoj që është mëngjes dhe me ardhjen e kohës së po besoj që rritet numri”, tha ai.
Nga ky proces zgjedhor deçanasit presin ndryshime të mira dhe në shërbim të nevojave të qytetarëve.
Arif Ulaj nga zgjedhjet e sotme komunale pret ndryshime pozitive.
Ulaj: Deçani ka shumë nevoja
Video
“Presim diçka më mirë nëse bëhet më mirë… Deçani ka shumë nevoja por mundësisht me rregulluar disa (me i rregullua)”, tha ky banor i Deçanit.
Ndryshime në qeverisjen e Deçanit pret edhe Ibrahim Lushaj.
“Po votuam…pres me pas ndryshime por megjithatë po më duket mbetet e njëjta, banorët e Deçanit kanë shumë nevoja, megjithëse janë të realizuara shumica, por prapë se prapë ka nevojë”, theksoi Lushaj.
Në garë për të parin e Deçanit janë Faton Selmanaj nga Lëvizja Vetëvendosje, Jetmir Prekalla nga Partia Demokratike e Kosovës, Jeton Mushkolaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bashkim Ramosaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate, Shkumbin Demakuja nga Iniciativa Demokracia dhe Shefqet Tolaj nga Guxo.
Në komunën e Deçanit të drejtë vote kanë 43 mijë e 759 qytetarë prej tyre 41 mijë e 444 janë votues brenda në Kosovë dhe 2 mijë e 320 votues nga diaspora.