Studimi: Kjo lloj pije e njohur ndikon në fillimin e depresionit

Një studim i ri nga Gjermania ka zbuluar një lidhje të mundshme midis konsumit të pijeve të gazuara dhe rritjes së rrezikut për zhvillimin e depresionit, veçanërisht te gratë.
Sipas shkencëtarëve të Spitalit Universitar të Frankfurtit, “hapja e një kanaçeje” rrit nivelin e baktereve Eggerthella, të cilat gjenden më shpesh tek personat me depresion.
Këto baktere, që ndikojnë në mikrobiomën e zorrëve, mund të ulin prodhimin e triptofanit – një përbërës i rëndësishëm për krijimin e serotoninës, hormonit që ndikon në humor.
Studimi, i botuar në revistën JAMA Psychiatry, analizoi 405 persona me çrregullim depresiv të madh dhe 527 pa diagnozë.
Pjesëmarrësit raportuan konsumin e pijeve të gazuara dhe simptomat e tyre psikologjike, ndërsa mostrat e jashtëqitjes u përdorën për të matur përbërjen bakteriale të zorrëve.
Rezultatet treguan se gratë që konsumonin rregullisht pije të gazuara kishin nivele më të larta të baktereve Eggerthella, ndërsa tek burrat nuk u vërejt një lidhje e tillë.
Studiuesit theksojnë se hormonët seksualë mund të kenë rol në këtë ndryshim.
Dr. Sharmily Edwin Thanaraja, bashkautor i studimit, tha për Inside Precision Medicine se këto gjetje “nxjerrin në pah rolin e dietës në zhvillimin e depresionit dhe tregojnë mikrobiomën e zorrëve si një ndërmjetës kyç”.
Ekspertët që nuk morën pjesë në kërkim, si Dr. Arun Swaminath nga Spitali Lenox Hill, shpjegojnë se sheqeri në pijet e gazuara mund të dëmtojë bakteret e dobishme në zorrë dhe të rrisë inflamacionin, faktorë që lidhen me çrregullimet e humorit.
Megjithatë, autorët paralajmërojnë se nevojiten studime shtesë për të vërtetuar nëse kjo është një lidhje shkak-pasojë.
Në pritje të rezultateve të mëtejshme, mjekët rekomandojnë kufizimin e pijeve të gazuara dhe zëvendësimin e tyre me ujë, si mënyrë më të sigurt për të ruajtur shëndetin fizik dhe mendor