75 Mall Live Search
10:39 / E Martë, 14 Tetor 2025 / Z S

Mungon dëshmitari, ndërpritet seanca ndaj Nagip Krasniqit

Në mungesë të dëshmitarit Skender Muqolli është ndërprerë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Muqolli mban pozitën e udhëheqësit të Departamentit të Tregut të Energjisë pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji, raporton “Betimi për Drejtësi”

Lidhur me mosparaqitjen e dëshmitarit Muqolli në shqyrtim gjyqësor, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti njoftoi se përmes e-mailit e ka njoftuar Gjykatën se për arsye shëndetësore nuk do të paraqitet në Gjykatë.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme u ndërpre.

Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 8 tetor 2024. I pafajshëm ai u deklarua edhe në seancën e 3 korrikut 2025.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 19 gusht 2024, akuzon Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.