75 Mall Live Search
23:14 / E Martë, 14 Tetor 2025 / F.R

Raportohet për mbi 30 banorë të Gazës të vrarë nga Hamasi, 7 të ekzekutuar në publik

Pjesëtarët e armatosur të Hamasit e forcuan kontrollin e tyre mbi Gazën të hënën dhe të martën, thanë burimet në enklavë, përfshirë kryerjen e ekzekutimeve publike.

Hamasi ka vrarë të paktën 33 njerëz që nga hyrja në fuqi e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit të premten në një fushatë shtypëse ndaj grupeve që e kanë testuar kontrollin e Hamasit, thanë burimet në enklavë, pasi duket se e kishte marrë miratimin e ShBA-së për ta kontrolluar përkohësisht territorin e shkatërruar nga lufta 2-vjeçare, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Luftëtarët e Hamasit ekzekutuan disa burra që i akuzonin për bashkëpunim me forcat izraelite. Në një video që qarkulloi të hënën vonë, anëtarët e grupit tërhoqën shtatë burra për të formuar një rreth njerëzish në Qytetin Gaza, i detyruan që të uleshin në gjunjë dhe i qëlluan me armë nga prapa. Një burim brenda Hamasit e konfirmoi autenticitetin e videos.

Banorët e Gazës thanë se luftëtarët e Hamasit po bëheshin gjithnjë më të dukshëm të martën, duke u dislokuar përgjatë rrugëve që nevojiten për shpërndarjen e ndihmave. Burimet palestineze të sigurisë thonë se dhjetëra njerëz janë vrarë në përleshjet mes të armatosurve të Hamasit dhe rivalëve ditëve të fundit.

Edhe pse trupat izraelite janë tërhequr nga zonat urbane në Gaza sipas marrëveshjes së armëpushimit, pesë njerëz u vranë me dronë, përderisa po shkonin për t’i kontrolluar shtëpitë në një zonë periferike në pjesën lindore të Qytetit Gaza, ndërsa një person tjetër u vra dhe një u plagos përmes një sulmi ajror afër qytetit Khan Younis, thanë autoritetet shëndetësore në Gaza.

Të hënën, Hamasi dislokoi pjesëtarë të Brigadave Izz ad-Din al-Qassam, ndërsa i liroi pengjet e gjalla që i kishte kapur në Izrael para dy vjetëve.

Në pamje të siguruara nga agjencia e lajmeve “Reuters” shihen dhjetëra luftëtarë të Hamasit të rreshtuar në një spital në jug të Gazës, njëri me shenjën e njësitit elit Hija. Sipas burimeve të Hamasit, detyra e këtij njësiti ishte mbajtja e pengjeve.