Negociatat për qeverinë, Osmani ua lë topin partive politike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar sot se negociatat për formimin e një qeverie të re janë ekskluzivisht çështje e partive politike dhe e deputetëve, jo e institucionit të presidentit.
“Në rolin e presidentes nuk do të duhej të ndërhyja në negociata. Nuk kam informacion të detajuar se ku kanë arritur, por partitë e përfshira mund të japin më shumë sqarime”, tha Osmani.
Ajo theksoi se vendi ka nevojë urgjente për një qeveri me mandat të plotë kushtetues. “Shpresoj shumë që të kemi sa më parë një qeveri të re, pasi siç dihet, aktualisht qeveria ka kompetenca të kufizuara sipas Ligjit për qeverisjen”.
Deklarata e presidentes vjen në një kohë kur vendi ndodhet në një periudhë paszgjedhore dhe partitë janë ende në proces të negociatave për krijimin e shumicës parlamentare.