Kosova në prag të historisë, Sahiti: Të qëndrojmë me këmbë në tokë, Rrahmani kthehet për dy ndeshjet e radhës

Drejtori i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti, ka folur për ecurinë e “Dardanëve” në kualifikimet për Kampionatin Botëror, situatën aktuale në grup, shanset e arritjes në play-off, si dhe gjendjen shëndetësore të kapitenit Amir Rrahmani.
Në një intervistë për KosovaPress, Sahiti ka theksuar se skuadra ka kaluar në një fazë krejtësisht të re pas rezultateve në grupin B, por njëkohësisht ka bërë thirrje për përqendrim maksimal në ndeshjet vendimtare.
Sahiti tha se skuadra nuk e kishte menduar që do të gjendej në këtë pozitë pas startit të garave.
“Tani jemi në një situatë krejt ndryshe nga fillimi i kësaj gare, do të thotë kur kemi bërë analizat e kundërshtarëve ka qenë një situatë që kemi menduar shumë, në një grup të vështirë, ku mund të përfundojmë. Sidoqoftë pas këtyre rezultateve, kemi krijuar një situatë të re. Do të thotë nga ajo që të luftojmë për pikë, të mos mposhtemi, të luftojmë për vendin e tretë, domethënë çdo kundërshtar që e kemi llogaritur ta lëmë pas, është sukses për ne, por ja që erdhëm në një situatë, sidomos me dy fitoret e fundit, atëherë pretendojmë edhe play-off-in”, tha Sahiti.
Sahiti apelon për qetësi dhe përqendrim, duke theksuar se ende asgjë nuk është përfunduar dhe se ndeshjet e mbetura ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës do të jenë vendimtare.
“Është akoma e vështirë. Do të thotë ne jemi me këmbë në tokë, nuk jemi me atë euforinë e masës, e cila ne e dimë që dëshira e tyre e jona është shumë e madhe për kualifikim dhe jemi duke punuar shumë në atë drejtim por që akoma nuk ka përfunduar asgjë. I kemi edhe dy lojë, të cilat janë shumë përcaktuese dhe një ndeshje para përfundimit të garës kemi sjellë situatën që një pikë kundër Sllovenisë e siguron play-off-in që do të jetë një sukses jashtëzakonisht i madh dhe gjithçka jemi duke bërë për ta arritur këtë objektiv”, tha Sahiti.
Drejtori i Kombëtares konfirmoi se kapiteni Amir Rrahmani është në rrugë të mirë për t’u rikthyer dhe pritet të jetë i gatshëm për sfidat e muajit nëntor.
“Ai e përjeton njëjtë sikur gjithë lojtarët tjerë. Dihet mungesa e tij për shkak të lëndimit. Ai është kapiteni i pakontestueshëm, është lideri dhe sikur të kishte qenë Amiri, sigurisht ndoshta kishim qenë edhe në pozitë më të mirë, por ja që fati i tij i keq u lëndua në ndeshje me Zvicrën, mungojnë këto ndeshje, por ne shpresojmë që në nëntor ta kemi edhe kapitenin, Amir Rrahmani, gjasat janë jashtëzakonisht të mira që ai të jetë pjesë e jona që kjo do të jetë një ndihmë e jashtëzakonshme për ne, sidomos në ndeshjen e parë kundër Sllovenisë dhe është në rrugë të mirë të rehabilitohet dhe të jetë pjesë, ngaqë vërtet është hetuar mungesa e Amirit”, tha Sahiti.
Sahiti ka folur edhe mbi mundësitë që Kosova të luftojë edhe për kreun e grupit, nëse rezultatet e tjera shkojnë në favor të saj, duke e ditur se ndeshja e fundit e këtij grupit do të zhvillohet kundër Zvicrës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Vetëm futbolli t’i sjellë këto emocione, do të thotë vetëm futbolli ka variante të tilla. Mund të ndodhë edhe ajo, por ne aktualisht jemi me këmbë në tokë, nuk jemi me atë euforinë, ngase akoma asgjë nuk është bërë. Është bërë shumë, kemi vazhduar një ëndërr që po besoj që do të realizohet, por fokusi jonë aktualisht është për ndeshjen kundër Sllovenisë. Ne e dimë që një pikë na e dërgon në play-off. Ka edhe variante që ju i përmendët, do të thotë nëse Suedia e mposht ose luan baras me Zvicrën dhe ne arrijmë fitore ndaj Sllovenisë mund të vendosë ndeshja e fundit me Zvicrën për vendin e parë”, tha Sahiti.
Kosova aktualisht renditet e dyta me shtatë pikë, tri më pak se Zvicra liderë. Dy ndeshjet e fundit të këtij cikli kualifikues Kosova i zhvillon më 15 nëntor kundër Sllovenisë në Lubjanë dhe Zvicrës në Prishtinë, më 18 nëntor.