Fatmir Sheholli rikthehet në paraburgim, pa probleme shëndetësore

Fatmir Sheholli, i arrestuar nën dyshimet për spiunazh, është liruar nga Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit dhe është kthyer në qendrën e paraburgimit, pasi ekzaminimet mjekësore nuk kanë konstatuar ndonjë problem shëndetësor serioz.
“Pacienti nuk ndodhet më tek ne. Ne e kemi referuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi ankohej për probleme kardiologjike”, ka thënë shkurt në një prononcim për IndeksOnline, drejtori i spitalit, Afrim Cana.
IndeksOnline, ka kontaktuar edhe drejtorin e Kardiologjisë në QKUK, Faik Shatrin, mirëpo i njëjti ka mohuar se Sheholli të ketë marrë trajtim në këtë klinikë.
“Jo asnjëherë, nuk ka marrë trajtim në Klinikën Kardiologjike”, ka thënë Shatri.
Sheholli ishte hospitalizuar më 11 tetor pas disa ndryshimeve në gjendjen e tij shëndetësore, transmeton IndeksOnline.
Sheholli I cili aktualisht ndodhet në paraburgim, dyshohet se për një kohë ka vepruar sipas udhëzimeve e urdhrave të BIA-s serbe.
Tutje, thuhet se Sheholli ka qenë i rekrutuar nga BIA dhe ka ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke mbledhur të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me disa prona “kinse të uzurpuara” të komunitetit serb në Kosovë, e po ashtu në lidhje me aktivitete biznesore, si dhe me gjendjen dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Detyrat e Shehollit sipas Prokurorisë Speciale ishin grumbullimi i informacioneve dhe shpërndarja e tyre në mediat online në Kosovë.
Po ashtu në dosje thuhet se Sheholli ishte nën hetime nga Prokuroria që nga muaji gusht i vitit 2024 dhe për një kohë ai ishte edhe në përgjim fizik./IndeksOnline/