75 Mall Live Search
19:28 / E Mërkurë, 22 Tetor 2025 / F.R

​Samiti i Procesit të Berlinit, Kurti: Hyrja në NATO mbetet kyçe për sigurinë e Ballkanit Perëndimor

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ka thënë se anëtarësimi në NATO mbetet thelbësor për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe se Londra mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e rajonit që duan t’i bashkohen Aleancës Veri-Atlantike, duke mbyllur kështu boshllëkun e rrezikshëm të sigurisë.

Ai gjatë fjalimit të tij në samitin e 12-të të Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër, në të cilin ishin të pranishëm edhe kryeministri britanik Keir Starmer dhe kancelari gjerman Friedrich Merz, theksoi se nevojitet unitet përballë rreziqeve të sigurisë në rajon dhe Evropë, raporton KosovaPress.

“Një unitet i tillë duhet të shtrihet edhe në juglindje të kontinentit tonë. Ballkani Perëndimor gjendet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por të gjitha vendet mbeten jashtë BE-së dhe gjysma jashtë traktateve të NATO-s. Kjo nuk është as e mençur dhe as solide. Për ta frenuar ndikimin rus apo kinez në Evropë, nuk duhet të lëmë asnjë vakum”, ka theksuar Kurti.

Ai shtoi se Londra mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s, duke mbyllur kështu këtë boshllëk të rrezikshëm të sigurisë si pasojë e agresionit ushtarak rus në Ukrainë.

“Ne kemi qëllime të përbashkëta dhe vlera të përbashkëta, dhe nuk kemi alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE dhe NATO këto duhen parë si pika të forta”, ka thënë Kurti.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti ka përmendur sulmin terrorist në Banjska në shtator 2023.

“Përparimi i Kosovës mbetet nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm nga fqinji ynë verior. Sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet. Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, megjithatë drejtësia ende nuk është vënë në vend. Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pa ndëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”, ka potencuar Kurti.

Ai ka folur edhe mbi progresin ekonomik që ka shënuar Kosova në pesë vjetët e fundit, arritjen e marrëveshjes së re tregtare me vendet anëtare të EFTA-s, në janar të këtij viti gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, që përfshin mallra dhe shërbime.

Sa i përket migracionit, Kuti ka theksuar se Kosova nuk është burim migracioni, por vetëm një pikë transiti me numra shumë të ulët.