75 Mall Live Search
10:47 / E Enjte, 23 Tetor 2025 / KV

“Vjen-ndërpritet”/ Pallati i Drejtësisë për disa minuta në terr, shkohet përsëri në pauzë për rastin e 400 kg kokainë

Ndonëse pas disa minutash u rikthye rryma, megjithatë në më pak se 5 minuta sërish është ndalur rryma në Pallatin e Drejtësisë, e ku bëri që të shkohet përsëri në një pauzë në rastin ku po pritej të fillonte seanca gjyqësore në rastin e 400 kilogramëve kokainë.

Në këtë rast, të akuzuar janë Izet Sheqiri, Kadri Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyçi. Prokuroria i akuzon ata se përmes kompanisë “MC FOOD” kishin lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA” për importin e produkteve të mishit të pulës së ngrirë, por në këto produkte ishin vendosur substanca narkotike.

Në këtë seancë pritet të japë dëshminë e tij Izet Sheqiri, pronar i kompanisë “MC FOOD”.

Pesë të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë nga Prokuroria, ndërsa Izet Sheqiri kishte deklaruar se ndihet fajtor vetëm për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në bashkëpunim me persona nga Brazili, përmes kompanisë “MC FOOD”, kanë lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA” për importimin e produkteve të pulës së ngrirë, në brendi të të cilave ishte vendosur substancë narkotike të llojit kokainë.

Kjo sasi prej 400 kilogramësh kokainë ishte gjetur më 17 maj 2021.