75 Mall Live Search
14:13 / E Hënë, 27 Tetor 2025 / L A

Gripshi fiton “Këpucën e artë”/ Sulmuesi kuqezi është goleadori më i mirë në Kazakistan

Nazmi Gripshi është protagonist i një arritjeje të madhe, pasi fitoi “Këpucën e artë” në Premier Ligën e Kazakistanit.

Sulmuesi i zbuluar së fundmi nga Silvinjo, që e ftoi në kombëtare për ndeshjet ndaj Serbisë e Jordanisë, e mbylli sezonin si shënuesi më i mirë i kampionatit kazak me 16 gola.

Kjo, në 26 ndeshje që ishte në fushë për ekipin e tij Astana, duke lënë dy gola prapa sulmuesin e Kairatit, Satpajev.

Një edicion shumë i mirë, me rritje të ndjeshme në krahasim me të kaluarin kur arriti në 6 rrjeta në 12 ndeshje të luajtura.

Jo vetën kaq, por Gripshi ishte i dyti në renditjen e asisteve në Premier Ligë, me 7 pasime për gol, vetëm një më pak sesa fituesi Marin Tomasov, gjithashtu lojtar i skuadrës së tij, Astana, që dha 9 asiste.

28-vjeçari ishte më i miri edhe për gjuajtjet në kuadrat dhe për penalltitë e realizuara, 8.

Për fat të keq, ëndrra e madhe, ajo e fitores së titullit në Kazakistan, nuk u realizua.

Në javën e fundit të kampionatit, Astana pati nevojë për fitore në fushën e rivalit kryesor, Kairat, por nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1.

Gripshi asistoi golin e avantazhit dhe Astana ishte virtualisht kampione, por vendësit barazuan pas pushimit.

Sulmuesi kuqezi e ka fituar titullin në Shqipëri me Skënderbeun, ndërsa në karrierë ka fituar edhe Kupën në Shqipëri, Kosovë dhe Kazakistan.