Kurti pas dështimit për qeveri të re: Ne zgjedhim zgjedhjet
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, një ditë pas dështimit për t’u ribërë kryeministër, tha se vendi nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve të reja.
“Para çdo marrëveshje që shtrembëron vullnetin e qytetarëve në zgjedhje, ne zgjedhim zgjedhjet. Kjo është arsyeja pse vendi nuk ka rrugë apo mënyrë tjetër përveçse zgjedhje të reja. Nuk ka qenë preferenca jonë,” tha Kurti në konferencë për media.
Ai shtoi se përpjekjet për të ndërtuar shumicën parlamentare nuk dhanë rezultat.
“Kuvendi nuk arriti të zgjedhë qeveri të re, përkundër tentimeve të disahershme shteruese dhe gatishmërisë sonë të hapur e të sinqertë. Përpjekjet për ndërtimin e një shumice nuk e dhanë rezultatin që e synuam. Asnjëra nga partitë që i ftuam nuk pranoi bashkëqeverisjen. Po të rezonin ndryshe e të pranonin ofertën për bashkëpunim, jo që do të kishim numrat që të formonim qeverinë e re, por edhe do të mund t’i jepnim zgjidhje çështjes së zgjedhjes së presidentit pas 4 muajve.Do të jemi qeveri në detyrë meqë dje nuk arritëm të bëhemi qeveri fuqimplotë,” deklaroi Kurti./IndeksOnline/

