75 Mall Live Search
16:06 / E Martë, 28 Tetor 2025 / MSH

“24 orë kohë për t’u paraqitur në stacion”/ Policia del me njoftim për e-mailat “fake” që iu kanë shkuar disa palëve

Policia e Kosovës, përmes një deklarate zyrtare, ka mohuar se qendron prapa e-maileve të dnryshme që janë shpërndarë, kinse të lëshuara nga ky institucion.

Nga PK-ja bëjnë me dije se informacionet janë dërguar kinse nga zyrtarë të lartë, të emërtuara si “Ftesë/Arrestim i menjëhershëm”, të dërguara te disa palë të ftuara brenda 24 orësh për t’u paraqitur në stacion policor, shkruan IndeksOnline.

“Nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara” thuhet në njoftimin e policisë.

Ky është njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës (PK), përmes kësaj komunikate zyrtare, njofton opinionin publik lidhur me qarkullimin dhe shpërndarjen nëpër e-mail-e të ndryshme, të disa informacioneve jozyrtare (false/rreme), që kinse i përkasin Policisë së Kosovës dhe organizatave të ndryshme, informacione këto kinse janë lëshuar nga zyrtarë të lartë brenda Policisë së Kosovës dhe njëherit sqaron se:
Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuara “FTESË/ARRESTIM I MENJËHERSHËM”, të lëshuara siç potencohen në e-mail nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovës, Byroja Federale e Hetimeve (FBI), Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) etj., e që kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për siç ceket “Keni 24 orë kohë për t’u paraqitur në selinë e policisë, departamenti i krimit kibernetik”, NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të e-mail-eve/informacioneve të tilla, ka filluar hetimet intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.
Policia e Kosovës njofton dhe njëherit fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave/mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së info@kosovopolice.com për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.