Alarmon eksperti i TI-së: Inteligjenca Artificiale po ekspozon dokumentet shtetërore!
Eksperti i Teknologjisë Informative, Besfort Gashi, ka paralajmëruar një rrezik të madh për sigurinë e të dhënave shtetërore të Kosovës, duke e cilësuar situatën si “Urgjencë Kombëtare Dixhitale.”
Në një intervistë për IndeksOnline, Gashi tha se “dokumentet shtetërore të Kosovës potencialisht po ekspozohen në servera të huaj. Institucionet publike dhe punonjësit e tyre me shumë gjasë përdorin ChatGPT, Gemini, DeepSeek dhe platforma të tjera të inteligjencës artificiale për përpunim dokumentesh apo rregullim drejtshkrimor të dokumenteve apo shkresave, pa e kuptuar se këto informacione brenda shkresave e dokumenteve po i dërgojnë jashtë vendit.”
Sipas ekspertit, situata është alarmante:
“Së fundmi, kompania OpenAI (ChatGPT) pranoi publikisht se ndan të dhënat e përdoruesve në rrethana të caktuara, duke përfshirë informacione mbi persona me probleme psikike dhe me mendime për vetëvrasje, që praktikisht do të thotë, çdo tekst i futur në ChatGPT ruhet, analizohet dhe përpunohet në servera jashtë kontrollit institucional.
Nga ana tjetër, shumë përdorues në Kosovë perveq Chatgpt, përdorin edhe DeepSeek – një inteligjencë artificiale kineze.
Të gjitha të dhënat që ngarkohen në këtë AI, ruhen në servera në Kinë, që do të thotë se hipotetikisht, informacionet tona zyrtare dhe ndonjëherë konfidenciale potencialisht dërgohen në Kinë në rast të perdorimit të aplikacionit DeepSeek.”
Eksperti thekson se ligjet aktuale të Kosovës ndalojnë shpërndarjen e informacionit shtetëror në server të huaj, por ato nuk janë të harmonizuara me epokën e AI:
“Udhëzimi Administrativ Nr. 02/2018 kërkon që të gjitha sistemet që përpunojnë të dhëna shtetërore të jenë të miratuara nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI). ChatGPT, Gemini, DeepSeek dhe platformat e tjera AI nuk janë të certifikuara për këtë.
Në përkthim praktik, ngarkimi i dokumenteve shtetërore në këto platforma nuk është vetëm i rrezikshëm – është i paligjshëm. Kjo përbën transferim të paautorizuar të të dhënave shtetërore dhe shkelje të ligjit në fuqi.”
Gashi kërkon masa të menjëhershme:
1. Ndalohet përdorimi i AI-ve për përpunimin e dokumenteve shtetërore;
2. Krijohet një infrastrukturë e sigurt për AI nën kontroll të ASHI-së;
3. Parashikohen sanksione për çdo shkelje institucionale.
“Ky nuk është debat teknologjik – është çështje sovraniteti kombëtar. Në epokën e inteligjencës artificiale, të dhënat janë pasuria më e madhe që kemi. Bashkimi Europian ka miratuar ligje që ndalojnë çdo informacion shtetëror të përpunohet nga AI. Ne vetëm duhet t’i harmonizojmë ligjet sipas standardeve të BE-së,” përfundoi Gashi.

