75 Mall Live Search
10:01 / E Mërkurë, 29 Tetor 2025 / A

VV-ja nënshkruan koalicion me komunitetin rom në Prizren, i pranishëm edhe i propozuari për ministër!

Kandidati i VV-së për Komunën e Prizrenit, Artan Abrashi, ka lajmëruar se ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e subjektit nga komuniteti joshumicë, PREBK, Albert Kinolli.

Në takimin ku u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ishte edhe Sejnur Veshall, i cili u propozua për ministër të Zhvillimit Rajonal nga Albin Kurti.

Postimi i plotë:

Bashkë për Prizrenin multietnik!

Në frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, sot u hodh një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit për një Prizren multietnik, gjithëpërfshirës dhe solidar.

Sot arritëm marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e PREBK-së, z. Albert Kinolli, deputet që përfaqëson me dinjitet komunitetin rom të Prizrenit. Në takim ishte i pranishëm edhe bashkëpartiaku dhe aktivisti i parë rom në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, Sejnur Veshall, i cili, për herë të parë në historinë e Kosovës, u propozua ditë më parë për postin e Ministrit të Zhvillimit Rajonal nga qeveria “Kurti”.

Ky bashkëpunim shënon një bashkim forcash për të avancuar mirëqenien sociale, zhvillimin kulturor dhe përmirësimin e infrastrukturës për komunitetin rom në Prizren. Ai reflekton vizionin tonë të përbashkët për një qytet që respekton diversitetin dhe promovon barazinë në çdo fushë të jetës publike.