75 Mall Live Search
07:49 / E Enjte, 30 Tetor 2025 / MSH

Më shumë se 10 të vdekur nga rrëshqitja e dheut, në Vietnam

Të paktën 10 persona humbën jetën për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut pas shirave të rrëmbyeshëm në pjesët qendrore të Vietnamit.

Sipas deklaratave të autoriteteve lokale, gjashtë persona humbën jetën dhe 19 të tjerë u plagosën për shkak të përmbytjeve në qytetin portual Danang të Vietnamit.

Ndërkohë ende katër persona mbeten të zhdukur në qytetin ku krahas shumë shtëpive janë prekur edhe të mbjella dhe mijëra kafshë. Një person humbi jetën si pasojë e përmbytjeve në qytetin Hue ndërsa një vajzë 5-vjeçare është e zhdukur.

Në rajonin Quang Nghai u shënuan më shumë se 120 rrëshqitje dheu dhe humbën jetën të paktën tre persona.

Për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut u mbyllën disa rrugë dhe shumë njerëz mbetën të bllokuar në automjetet e tyre.

Shërbimi Meteorologjik i Vietnamit në një deklaratë tha se sasia e reshjeve të shiut në Hue arriti nivel rekord në 24 orë.

Ujërat e përmbytjeve u rritën në qytetin e lashtë Hoi An, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s ndërsa turistët në rajon u evakuuan me varka.

Gjithashtu, shërbimet e trenave midis kryeqytetit Hanoi dhe qytetit Ho Chi Minh u pezulluan për shkak të shirave të rrëmbyeshëm, duke ndikuar negativisht në mijëra pasagjerë.