Mediumi kroat: Siria njohu Kosovën, dush i ftohtë për Aleksandër Vuçiqin
Mediumi kroat “Verçenjilist”, ka raportuar sot për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Siria. Sipas këtij mediumi, ky vendim i Damaskut zyrtar është një “dush i ftohtë” për presidentin e Serbisë, për shkak të raporteve të mira ekonomike e politike në mes të Sirisë dhe Serbisë, shkruan “Gazeta Express”.
Gjithashtu mediumi kroat ka përmendur edhe kohën kur Siria ishte nën regjimin e Bashar Al Assadit dhe raportet e ngushta që Assad kishte mbajtur me Moskën dhe Vladimir Putinin, duke rikujtuar edhe qëndrimin e Sirisë, që bashkë me Rusinë dhe Iranin e “respektonin integritetin territorial të Serbisë”.
“Serbia, e cila nuk vendosi sanksione ndaj Sirisë pavarësisht kërkesave perëndimore, ka mbajtur marrëdhënie të mira politike dhe ekonomike me Damaskun. Së bashku me Rusinë dhe Iranin, Siria ishte ndër vendet e pakta që mbështetën fuqimisht integritetin territorial të Serbisë. Pikërisht për këtë arsye shumë në Beograd e shohin njohjen e sotme të Kosovës nga Damasku si një tradhti dhe një goditje serioze për politikën e jashtme serbe”, shkruan “Verçenjilist”.

