Mjeku dhe profesori i njohur në SHBA i bashkohet personelit të UP-së
Mjeku i njohur me përmasa ndërkombëtare dhe profesori i Universitetit shtetëror të Ohajos, Dukagjin Blakaj, do t’i bashkohet edhe personelit akademik të UP-së
Në mbledhjen e 21-të të Senatit të Universitetit të Prishtinës, të zhvilluar më 29 tetor 2025, me propozim të rektorit Arben Hajrullahu u miratua asociimi i profesorit të Universitetit shtetëror të Ohajos, Dukagjin Blakaj, me Universitetin e Prishtinës.
Profesori Blakaj, që do të punojë me orar të pjesshëm në Fakultetin e Mjekësisë, është profesori i dytë nga diaspora jonë akademike, i asociuar me Universitetin e Prishtinës.
Onkologu i rrezatimit që drejton Departamentin për Kokë dhe Qafë të Onkologjisë Rrezatuese në Universitetin Shtetëror të Ohajos, asociohet me Universitetin e Prishtinës në bazë të Rregullores për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, të miratuar më 30 prill 2025 nga Senati i UP-së.
Profesori Blakaj studimet themelore për kimi, biologji molekulare dhe biofizikë i kreu në Universitetin Wesleyan të Konektikatit, ndërsa ka mbaruar studimet e mjekësisë (M.D.) në Albert Einstein College of Medicine, në New York, ku edhe magjistroi në fushën e biokimisë dhe doktoroi.
Ai është profesor në Departmentin e Onkologjisë rrezatuese (Department of Radiation Oncology) në Ohio State University, Comprehensive Cancer Center – Arthur G. James Cancer Hospital and Richard J. Solove Research Institute Columbus, Ohajo.
Profesori Blakaj është autor e bashkautor i një sërë publikimesh shkencore në fushat e interesimeve rreth tumoreve të ndryshme, terapive eksperimentale kundër këtyre sëmundjeve, radiologjisë, etj, dhe beson se vetëm me punë ekipore mund të mposhtet përfundimisht kanceri.
Senati i Universitetit të Prishtinës më 30 shtator 2025 vendosi po ashtu që ta asociojë me UP-në edhe profesorin e Universitetit të qytetit të Dablinit, i asociuar edhe me Universitetin e Oksfordit, Gëzim Visoka.
Pajtimi i profesorëve me përmasa ndërkombëtare dhe integritet të lartë akademik si Blakaj e Visoka për të u asociuar me UP-në, p.sh. përmes ligjëratave, zhvillimit të kërkimeve dhe bashkëpunimeve shkencore, do t’i ndihmojë UP-së të jetë në hap me zhvillimet e hovshme të kohës.

