Gjykata në Gjakovë e dënon me pesë vjet burg shtetasin e Shqipërisë për shitblerje të drogës
Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit E.Ç., shtetas i Shqipërisë, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, akuzohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Trupi gjykues, i kryesuar nga kryetari Sulltan Dobraj, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, shpalli aktgjykimin me të cilin i pandehuri u shpall fajtor dhe ndaj tij u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej pesë vjetësh, si dhe dënim me gjobë në shumën prej 2000 euro.
I pandehuri akuzohet se “nga data e pacaktuar e deri më datë 30 qershor 2023, duke i koordinuar veprimet me të pandehurin J.B., e transporton narkotikun nga Shqipëria në Kosovë përmes rrugëve malore, ndërsa e njëjta substancë deponohet në shtëpinë e të pandehurit J.B., për ta lehtësuar transportin, pasi shtëpia e tij është e fundit në fshatin Devë, në brezin kufitar me Shqipërinë, nga ku mund të kalohet lehtë në territorin e Shqipërisë në këmbë për rreth 40 minuta. I pandehuri E.Ç., i gjen dhe kontakton blerësit e mundshëm të narkotikëve dhe, përmes numrit të tij të telefonit +355…, komunikon me të pandehurin J.B., për t’u siguruar nëse ai ndodhet në shtëpi, pasi blerësi do të vijë për të marrë substancën narkotike. Më pas, ai e udhëzon të pandehurin J.B., që t’i marrë blerësit në vendet e caktuara dhe t’i dërgojë në shtëpinë e tij, si dhe e udhëzon për sasinë e substancës narkotike që duhet t’ua japë blerësve, duke iu referuar me termat “i pardjeshmi” dhe “i sotmi”. Gjatë kontrollit të kryer pas shtëpisë së të pandehurit J.B., janë gjetur dy çanta me substancë narkotike të llojit Kanabis (Marihuanë), me peshë të përgjithshme 32 kg e 092 gramë”.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.
Ndryshe, më 22 janar të këtij viti, Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, kishte ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit.
‘’Sipas aktakuzës ndër tjera cekët se i pandehuri E.Ç., nga data e pacaktuar e gjerë me datë 30.06.2023, në fshatin Devë Komuna e Gjakovës, në bashkëveprim me të dënuarin J.B., pa autorizim dhe me qëllim shitje shpërndajnë, shesin, transportojnë substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, në atë mënyrë që i pandehuri E.Ç., duke i koordinuar veprimet me të dënuarin J.B., i njëjti transporton narkotikun nga Shqipëria në Kosovë, përmes rrugëve malore dhe e njëjta substancë deponohet në shtëpinë e të dënuarit J.B., e ku nga kjo shtëpi lehtë kalohet në territorin e Republikës së Shqipërisë në këmbë për rreth 40 min, ashtu që i pandehuri E.Ç., i gjen dhe kontakton blerësit e mundshëm të narkotikut, kontakton me të dënuarin J.B., duke u siguruar se a ndodhet në shtëpi, pasi blerësi do të shkojë për të marrë substancë narkotike, e pastaj duke e udhëzuar të dënuarin J.B., që të shkoj ti marr blerësit në vende të caktuara nga i pandehuri E.Ç., dhe ti dërgoj në shtëpinë e tij, si dhe duke e udhëzuar për sasinë e substancës narkotike që do t`iu jap blerësve’’, thuhej në njoftim.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dënuarit J.B, janë gjetur dy çanta me substanca narkotike, njëra më ngjyrë të gjelbër me 17 paketime të mbushura me Kanabis (Marihuanë) dhe tjetra çantë ngjyrë e zezë, me 15 paketime të mbushura po ashtu Kanabis (Marihuanë), në peshë të përgjithshme 32 kg e 092 gram, substanca kjo e transportuar nga i pandehuri E.Ç., nga Republika e Shqipërisë.
Sa i përket bashkëkryerësit, përkatësisht ndajë të dënuarit J.B., çështja penale është veçuar dhe është përfunduar me aktgjykim dënues, ndërsa i pandehuri E.Ç., ka qenë në arrati deri më 31.12.2024, e nga kjo datë e deri me tani ndodhej nën masën e paraburgimit.

