75 Mall Live Search
19:20 / E Premte, 31 Tetor 2025 / F.R

Rafuna për rritjen e pagës minimale: Vendime ad-hoc pa u konsultuar, bizneset janë të shqetësuara

Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, u shpreh se vendimet e marra nga Qeveria në detyrë këtë të premte, janë vendimet ad-hoc për çka bizneset janë të shqetësuara.

“Nuk parashihet se nga do të vijnë të hyrat për rritjen e shtesave, pensioneve dhe jemi të frikësuar se gjatë natës do të marrin ndonjë vendim për rritjen e tatimeve dhe për këtë janë të shqetësuara bizneset për të gjitha këto vendime ad-hoc”, tha Rafuna.

Megjithatë, Rafuna i ftuar në “FIVE” në TV Dukagjini, u shpreh se OEK-u e mbështetë rritjen e pagës minimale por që sipas tij do të duhej të konsultoheshin paraprakisht, njofton Dukagjini.

“Nuk është bërë në konsultim me partnerët e bizneseve, ne e kemi marrë një ftesë para dy ditëve ndërsa jemi thirrë për në ora 10:00 ditën e djeshme dhe e gjithë kjo ka qenë një kalim i formalisht se për legjitimuar të drejtën e ministrit në detyrë të financave për të bërë një propozim të pagës minimale – kjo nuk bëhet ashtu. Ne do të duhej të bisedonim me bizneset për rritjen e pagës minimale. Po ashtu dua të qartësoj se Oda Ekonomike e Kosovës nuk është kundër rritjes së pagës minimale mirëpo duhet të jetë një proces transparent dhe i studiuar mirë në mënyrë që vendimi të mos dëmtojë asnjë palë pastaj. Duhet të na jepet mundësia që ne të shkojmë me propozime e kjo fatkeqësisht nuk ka ndodhur”, tha Rafuna.

Rafuna, mes tjerash, u shpreh se ka edhe dy muaj kohë për konstultime e ndryshim të vendimit për rritjen e pagës minimale.

“Paga minimale të fillojë nga 1 janari por kemi shumë probleme ligjore e procedurale e probleme materiale. Ka shumë pikëpyetje dhe në çdo hap është bërë nga një shkelje ligjore dhe jam i bindur se do të anulohet nga Gjykata. Ka kohë dy muaj që të ndryshohet dhe të sillet në baza ligjore”, u shpreh Rafuna.