75 Mall Live Search
21:37 / E Premte, 31 Tetor 2025 / F.R

Kurti ngushëllon për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos: U kujtoftë mes kryeministrave të Shqipërisë, për rolin e tij historik

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ka ndarë kujtime personale nga takimet që ka pasur me Nanon dhe ka vlerësuar rolin e tij në historinë politike të Shqipërisë, shkruan IndeksOnline.

Kurti kujtoi takimin e parë në fillim të vitit 2002, pak pas daljes nga burgu në Serbi, ku kishte qenë i burgosur bashkë me mbi 2000 shqiptarë të tjerë nga lufta.

Ai tregoi se Nano e kishte pritur në Tiranë bashkë me Adem Demaçin dhe Arbën Xhaferin, duke e cilësuar këtë si një takim të mbushur me pasion për politikën dhe idealet kombëtare.

Postimi i plotë:

Kur e mora lajmin për vdekjen e Fatos Nanos, më erdhën në mendje kujtime nga dy takimet që dikur i kam patur me të. Herën e parë në fillim të vitit 2002, disa muaj pasi kisha dalë nga burgu në Serbi, ku isha mbajtur si rob lufte bashkë me mbi 2000 shqiptarë të tjerë. Kjo përvojë e imja, u kthye natyrshëm në temë të bisedës sime me Nanon në atë takim tonin njohës. 

Fatos Nanon e kam takuar për herë të dytë kur ishte zgjedhur Kryeministër i Shqipërisë, me ç’rast ai më priti bashkë me Adem Demaçin dhe Arbën Xhaferin. Nga atëherë, më kanë ngelur të pashqitshme nga kujtesa bisedat e tij plot pasion për politikën me Bacin Adem, simbolin e rezistencës sonë dhe me Arbën Xhaferin, liderin politik aq origjinal.

Në historinë politike të Shqipërisë së periudhës së tranzicionit nga sistemi monist dhe regjimi komunist tek ai demokratik liberal dhe pluralist, emri i politikanit Fatos Nano ishte një figurë qendrore. Ai shërbeu tre herë si Kryeministër i Shqipërisë: nga 22 shkurti deri më 4 qershor 1991, kur Shqipëria ishte në kapërcyell nga komunizmi në demokraci; pastaj nga 25 korriku i vitit 1997 deri më 27 shtator të vitit 1998, kur Shqipëria u përfshi nga trazirat kurse Kosova nga lufta; për herë të tretë dhe më së gjati, Nano shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë për tri vite, mes 29 shtatorit 2002 dhe 1 shtatorit 2005, kur Shqipëria po përballej me sfidat e ngritjes nga pasojat e regjimit të gjatë komunist dhe nga trazirat. 

Në biografinë e tij politike, Fatos Nano ka një kapitull të rëndësishëm për rolin e tij në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë vitit të parë të luftës nga dalja publike e UÇK-së deri te ofensiva e verës së vitit 1998, kur terreni shqiptar ishte arenë e lirë e organizimit të UÇK-së. Historia moderne e shtetit shqiptar dhe historia politike e Shqipërisë dhe e Kosovës, do ta kenë të dendur emrin e tij mes emrave të politikanëve shqiptarë të viteve ’90 dhe fillimshekullit XXI.

Ngushëllime familjes Nano, bashkëpunëtorëve dhe bashkëpartiakëve të Fatos Nanos, si dhe miqve e të afërmve të tij.