Maliqi: Islami nuk ka “dalë nga shtrati”, Kryeziu ka nxitur përçarje
Imami i njohur, Labinot Maliqi, ka komentuar deklaratat e ish-nënkryetarit të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se gjuha që ka përdorur Kryeziu është nxitëse e ndasive, përçarjeve, prishjes së rendit dhe qetësisë publike.
Përmes një postimi në Facebook, Maliqi u shpreh se është fyerje e rëndë të thuash se feja islame është “e dalë nga shtrati”.
“Feja Islame është pjesë e pandarë e identitetit tonë shqiptar. Nuk ka qenë kurrë pengesë, përkundrazi është shtyllë e moralit, kulturës dhe krenarisë sonë kombëtare” u shpreh mes të tjerash Maliqi.
Ky është reagimi i tij i plotë:
Deklarata e ish-nënkryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, është shembull i pastër i gjuhës që nxit ndasi, përçarje, prish rendin dhe qetësinë publike. Të flasësh për fenë Islame si “E DALË NGA SHTRATI” është fyerje e rëndë ndaj një besimi që përfaqëson 93.49 % të popullsisë së Kosovës, qytetarë që jetojnë në paqe, respektojnë ligjin dhe kanë dhënë bijtë më të mirë për liri e dinjitet kombëtar.
Feja Islame nuk ka dalë nga shtrati. Ajo është në zemrën dhe historinë tonë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u mbajt në Xhaminë e Bajrakut, aty ku filloi rrugëtimi i shtetësisë sonë. Herojtë tanë më të mëdhenj në luftën e fundit dolën nga familje myslimane që mbrojtën kombin me nder.
Siç ka thënë Faik Konica, ambasador i Shqipërisë në Uashington: “Po të mos ishte feja Islame, kombi shqiptar do të ishte shumë më i madh, por nuk do të ishte më shqiptar!”
Feja Islame është pjesë e pandarë e identitetit tonë shqiptar. Nuk ka qenë kurrë pengesë, përkundrazi është shtyllë e moralit, kulturës dhe krenarisë sonë kombëtare.
Deklarata të tilla nuk janë opinion personal, por nxitje urrejtjeje që shkel Kushtetutën, ligjet dhe vlerat e bashkëjetesës fetare. Asnjë figurë publike, aq më pak një ish-zyrtar i lartë i drejtësisë, nuk duhet të lejohet të përdorë autoritetin e vet për të përhapur urrejtje fetare.
Kërkohet veprim nga Kuvendi, Qeveria, Gjykatat dhe sidomos Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Kjo prokurori, që tash dy vite po trajton rastin e ekstremistëve të Lëvizjes anti-islame të Deçanit, duhet të dalë me epilog. Ose ndaloni dhe ndëshkoni gjuhën e urrejtjes, ose tregoni se ligjet vlejnë vetëm për disa!
Heshtja është bashkëfajësi. Gjuha e urrejtjes nuk është liri shprehjeje, është helm për shoqërinë. Respekti ndaj çdo besimi është themeli i paqes. Kush e prish këtë, prish vetë themelet e vendit tonë.
Ne jemi dhe do të mbetemi krenarë me identitetin tonë autokton shqiptarë dhe myslimanë. Të qenurit mysliman nuk na bën më pak shqiptar, ashtu siç të qenurit shqiptar nuk na bën më pak mysliman. Ky është identiteti ynë, besim, kulturë dhe dinjitet.

