Kosova shkruan histori në hendboll, kualifikohet në fazën e dytë për Botërorin 2027
				Kombëtarja e Kosovës në hendboll për herë të parë në histori do të marrë pjesë në fazën e dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2027.
Suksesi erdhi pas dy fitoreve të mëdha ndaj Britanisë së Madhe, që i siguruan “Dardanëve” kalimin në një etapë të re historike.
Ndeshjet e fazës së dytë do të zhvillohen më 18/19 dhe 21/22 mars të vitit 2026.
Në këtë raund do të garojnë gjithsej 16 kombëtare, ndërsa 8 prej tyre do të avancojnë në fazën e tretë të kualifikimeve për Botërorin e ardhshëm. Kosova do të jetë pjesë e vazos së dytë në short, ku ndodhen edhe: Sllovakia, Lituania, Belgjika, Finlanda, Izraeli, Turqia dhe Letonia. Për rrjedhojë, këto përfaqësuese nuk mund të jenë kundërshtaret e saj.
Në vazon e parë do të jenë Greqia, Bosnje-Hercegovina si dhe gjashtë kombëtaret që do të përfundojnë në vend të fundit në grupet e Kampionatit Europian 2026, i cili do të mbahet nga 15 janari deri më 1 shkurt në Danimarkë, Norvegji dhe Suedi.
Kosova do të përballet me një ekip nga kjo vazë e parë, ndërsa shorti pritet të hidhet pas përfundimit të fazës së parë të grupeve në Euro 2026. Kombëtarja jonë tashmë ka dëshmuar rritje të madhe dhe përkushtim, duke shënuar një tjetër arritje historike për hendbollin kosovar.

