Zohran Mamdani, socialisti që mund të bëhet kryebashkiaku i parë mysliman i New York-ut
				Në prag të zgjedhjeve për kryebashkiakun e New York-ut, një emër po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje në arenën politike amerikane është Zohran Mamdani, politikani 34-vjeçar që mund të bëhet jo vetëm kryebashkiaku më i ri i qytetit, por edhe i pari mysliman në historinë e New York-ut.
Sipas La Repubblica, Mamdani, i cili e përshkruan veten si “një politikan me shpirt skandinav dhe lëkurë më të errët”, ka arritur të kthehet nga një figurë pak e njohur në një prej kandidatëve më të fuqishëm për drejtimin e qytetit që “nuk fle kurrë”.
Aktualisht ai udhëheq në sondazhe me 41% të votave, shtatë pikë përpara rivalit të tij kryesor, ish-guvernatorit Andrew Cuomo (34%), ndërsa republikani Curtis Sliwa renditet i treti me 24%.
Një histori migrimi, arti dhe aktivizmi
Zohran Keame Mamdani lindi në Ugandë në vitin 1991. Babai i tij, Mahmood Mamdani, është një prej politologëve më të njohur afrikanë, ndërsa e ëma është regjisorja e famshme indiane Mira Nair, autore e filmit kult Monsoon Wedding. Familja u zhvendos në New York në vitin 1998, kur ai ishte vetëm shtatë vjeç.
I rritur në lagjen Astoria të Queens-it, një mozaik kulturash dhe etnish, Mamdani u formua mes realiteteve të ndryshme që e çuan drejt një vizioni politik të ndërtuar mbi barazinë sociale dhe drejtësinë ekonomike. Fillimisht i apasionuar pas hip-hopit, ai më vonë zgjodhi të përfshihej në punë sociale, duke ndihmuar familjet me të ardhura të ulëta të mos humbnin shtëpitë e tyre për shkak të kredive.
“Çdo ditë shihja pasojat konkrete të pabarazisë”, ka rrëfyer ai.
Nga aktivist në favorit për kryebashkiak
Mamdani u bë pjesë e “Socialistëve Demokratë të Amerikës” në vitin 2017, dhe vetëm tre vite më vonë fitoi një vend në Asamblenë e Shtetit të New York-ut, duke përfaqësuar zonën e tij, Astoria.
Ai u rikonfirmua në zgjedhjet e 2022 dhe 2024, duke fituar terren falë një platforme që përfshin masa ambicioze si:
• transport publik falas,
• ndalim i rritjes së qirave për banesat me çmime të kontrolluara,
• ndërtim i 200 mijë njësive të reja banimi të përballueshme,
• çerdhe falas për të gjitha familjet,
• dhe rritje graduale të pagës minimale në 30 dollarë/orë deri në vitin 2030, e financuar përmes taksimit të korporatave të mëdha dhe milionerëve.
Këto propozime e kanë kthyer në një simbol të brezit të ri progresist, por edhe në një shënjestër të pasanikëve dhe konservatorëve.
Presidenti Donald Trump e ka quajtur “komunist” dhe ka paralajmëruar se do të ndërpresë fondet federale nëse ai zgjidhet.
Një figurë që ndan, por edhe frymëzon
Megjithëse Mamdani ka fituar mbështetjen e figurave të majta si Bernie Sanders dhe Alexandria Ocasio-Cortez, ai ka shkaktuar debate të forta brenda vetë forcës për qëndrimet e tij kritike ndaj politikave të Izraelit. Ai e ka dënuar hapur “gjenocidin ndaj palestinezëve në Gaza” dhe ka propozuar ndalimin e financimeve për organizata që mbështesin vendbanimet ilegale izraelite.
Përkundër kritikave, ai ka fituar simpatinë e brezit të ri hebre në qytet. Një sondazh i korrikut 2025 tregon se 67% e votuesve hebrenj nën moshën 44 vjeç do ta mbështesnin kandidaturën e tij.
Në mënyrë befasuese, ish-presidenti Barack Obama e ka kontaktuar personalisht, duke i ofruar mbështetje morale dhe këshilla për të ardhmen, çka mund të ketë forcuar pozicionin e tij në mesin e demokratëve të moderuar.
Një fushatë që ndryshon rregullat e lojës
Në fund të tetorit, Mamdani u pa kudo në qytet, nga paradat e komuniteteve etnike deri te takimet e fushatës me Sanders dhe Ocasio-Cortez.
Në lagjen Upper East Side, zakonisht e rezervuar për elitat e pasura, ai udhëtoi me metro si çdo qytetar i zakonshëm dhe u përshëndet nga turma entuziaste që kërkonte foto e përqafime.
La Repubblica shkruan se “figura e tij ka sjellë një frymë të re në politikën amerikane, duke përfaqësuar zërin e brezave që kërkojnë ndryshim real, jo thjesht retorikë”.
Nëse fiton, Mamdani do të hyjë në histori si kryebashkiaku i parë mysliman i New York-ut dhe një prej më të rinjve që kanë drejtuar ndonjëherë këtë qytet me buxhet prej 116 miliardë dollarësh, duke u kthyer kështu një simbol i një Amerike më shumëngjyrëshe, më sociale dhe ndoshta, më të guximshme. /tvklan

