Ministri i Jashtëm turk: Rezoluta e OKB-së për vendosjen e forcës së stabilizimit në Gazë, gati brenda dy javësh
				Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që parashikon futjen e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi në Rripin e Gazës pritet të jetë gati brenda dy javësh, por mund të vonohet nëse nuk arrihet pajtueshmëri për disa çështje kyçe, si udhëheqja ushtarake amerikane, marrëdhënia me policinë civile palestineze dhe afatizimi i tërheqjes së ushtrisë izraelite.
Në një takim të zhvilluar të hënën në Stamboll, ku u diskutua dërgimi i trupave nga vende myslimane, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha se qëndrimet e shteteve do të varen nga misioni dhe autoriteti i kësaj force.
“Vendimet e vendeve do të formësohen nga misioni dhe autoriteti i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit. Nëse misioni bie ndesh me parimet dhe politikat e vendeve që do të dërgojnë trupa, do të jetë e vështirë për to të dërgojnë trupa”, deklaroi Fidan.
Ai përsëriti gatishmërinë e Turqisë për të dërguar trupa në Gazë – propozim që është refuzuar nga Izraeli, për shkak të mbështetjes së Ankarasë ndaj Hamasit.
Në takim morën pjesë ministrat e Jashtëm të Indonezisë, Pakistanit, Arabisë Saudite dhe Jordanisë, si dhe përfaqësues nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarit. Egjipti, i cili shihet si udhëheqës i mundshëm i forcës, nuk ishte i pranishëm.
Jordania ka bërë të ditur se nuk do të dërgojë trupa, por është e gatshme të trajnojë një polici palestineze për ruajtjen e rendit – megjithatë, mbetet e paqartë si do të bashkëveprojnë dy strukturat dhe cilat do të jenë përgjegjësitë e tyre.
Ndërkohë, dhuna e vazhdueshme në Gazë ka shtuar shqetësimet për brishtësinë e armëpushimit. Vetëm të martën, 115 persona u vranë dhe 352 u plagosën – dita më vdekjeprurëse që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 10 tetor.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, paralajmëroi se procesi duhet të ecë më shpejt.
“Duhet të shpejtojmë. Armëpushimi është i mirë, por na duhet të mbushim vakumin në Gaza për siguri dhe administrim”, tha ai.
Fidan, në anën tjetër, akuzoi Izraelin për shkelje të rregullta të armëpushimit dhe pengim të ndihmave humanitare.

