75 Mall Live Search
13:54 / E Martë, 04 Nëntor 2025 / H F

Ukraina blindohet për dimër, Britania i nis raketat “Storm Shadow”

Bloomberg raporton se Britania ka nisur dërgesat e raketave “Storm Shadow” (të njohura edhe si SCALP) drejt Ukrainës. Numri i saktë i raketave të dorëzuara nuk është bërë publik nga qeveria britanike, ndërsa burime jozyrtare thonë se dërgesat u përshpejtuan përpara muajve të dimrit për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës.

Më 21 tetor, forcat ukrainase kryen një sulm të orkestruar me raketa dhe aeroplanë, ku përdorën edhe raketa “Storm Shadow”, ndaj fabrikave të Bryanskut në Rusi, ku prodhohet barut, eksplozivë dhe komponentë të tjerë për raketa dhe municione.

Pas takimit të koalicionit të të gatshmëve, kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi më 24 tetor se Londra do të përshpejtojë dorëzimin e mbi 5 mijë raketave multifunksionale, nga të cilat rreth 140 do të dorëzoheshin përpara afatit, për të forcuar mbrojtjen gjatë dimrit, siç raportojnë mediat e huaja.

Po çfarë është raketa “Storm Shadow”?

Tipi: Raketë ajrore (pra zakonisht lëshohet nga avionët, jo nga toka), e zhvilluar nga Britania e Madhe dhe Franca.

Pesha: Rreth 1,300 kg, ngarkesa shpërthyese rreth 450 kg.

Rreze: Raportohet më shumë se 250 km, ndërsa variantet për forcat franceze dhe britanike deri në 560 km.

Karakteristikat e fluturimit: Fluturon në lartësi të ulët (30–40 m) me shpejtësi maksimale afërsisht 1000 km/h; është e projektuar për të shkatërruar objektiva me mbrojtje të fortë

Koka shpërthyese: Ka dy faza, një ngarkesë për beton apo armatime dhe pastaj ngarkesa kryesore për shkatërrim maksimal.

Për shkak të rrezes dhe fuqisë së shpërthimit, qarkullimi i “Storm Shadow” konsiderohet pjesë e përpjekjeve për të dobësuar kapacitetet logjistike dhe prodhuese të kundërshtarit. Dorëzimi i kësaj rakete te Ukraina nënvizon gatishmërinë e aleatëve për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës, megjithatë qeveria britanike nuk e ka konfirmuar zyrtarisht numrin e raketave të dorëzuara…!