Gjykata shpalli dënimet për rastin e kadetit Shabaj, reagon ashpër babai: Na vranë për të tretën herë
Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me 5 vite e 6 muaj burg Artan Durakun dhe me 10 muaj burgim Nezir Durakun për rastin e Flordian Shabaj, kadetin e Policisë së Kosovës, i cili kishte mbetur i vdekur pas një aksidenti në komunikacion.
Në vendimin e trupit gjykues, llogaritet edhe koha e paraburgimit, transmeton IndeksOnline.
Babai i Flordianit, Enver Shabaj, në një intervistë për IndeksOnline ka thënë se kjo është hera e tretë që vendimet e gjyqësorit, e vrajnë për së gjalli.
‘’Kam prit me kon vendim tjetër, se ata me i denu edhe 100 vjet, djalin tim më nuk ma kthejnë. Kam prit që gjykata me japë denim meritor e unë si baba i djalit që ma morën në lulen e rinisë, me ndje sado pak një lehtësim e me thonë që të paktën ata që e kryen këtë akt morën denimin e merituar ‘’, ka thënë ai për IndeksOnline.
‘’Me këtë vendim, mua më vranë përsëri si babë. Këtu po shkojka njeri si qeni në rrush. Djali i ri 30 vjet, shkojë me kry akademinë, sepse përherë e ka desht uniformën, ka qenë shumë i dhanun pas uniformës. Gjykata për herë të tretë na kanë vra. Unë nuk kam pritë që kanë me i denu 100 vjet, por kam prit që së paku me i denu sipas neneve, ligjeve. Djali jem më nuk ngjallet. Trupi i tij nuk është makinë që me u riparu, ai nuk kthehet më. Na kanë shkatërru familjen, neve si prind, gruan e tij, e ka lënë vajzën 6 muajshe ‘’, ka theksuar tutje ai.
‘’Nana e tij cdo ditë shkon tek vorri, posa nisem unë për punë, e unë nga kamerat e shoh dhe më duhet nga puna me shku dhe me e ngushullu e me largu nga varri i djalit tonë, i cili nuk kthehet më. Ajo që ma kanë bërë është e tmerrshme. Unë kam prit që seancën e parë kthehet dhe më thotë, o Enver Shabi, ta kam vra, më iku truni, ndaq vrajëm, ndaq falëm. Por, nuk e ka marrë as mundim më të vogël. S’ka kërku as falje ‘’, ka thënë babai i Flordianit.
Ai njëherit ka bërë me dije se për këtë vendim të gjykatës do të ankohet përsëri, derisa kryesit e veprës, të marrin denimin e merituar. /IndeksOnline/

