Raporti i KE-së thekson se PSRK-ja dhe Gjykata e Apelit kanë probleme me ndarjen e lëndëve në mënyrë rastësore
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën ka theksuar se Prokuroria Speciale dhe Gjykata e Apelit kanë probleme me zbatimin e sistemit që mundëson ndarjen e lëndëve te gjyqtarët dhe prokurorët në mënyrë rastësore.
Ndryshe “Betimi për Drejtësi” më 29 mars 2025 kishte publikuar emisionin me titull “Miliona Euro SMIL dështojnë në PSRK, ndarja e lëndëve ende manualisht”. Përmes këtij emisioni ishte hulumtuar se si lëndët në PSRK nuk ndahen përmes sistemit SMIL që mundëson ndarje të lëndëve në mënyrë rastësore.
Sa i përket strategjive të miratuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në raport thuhet se përkundër miratimit të tyre dhe demonstrimit të efikasitetit, sërish është vërejtur mungesë e vullnetit dhe kapacitete të dobëta menaxhuese. që ato strategji të miratuara të përdoren në mënyrë efektive, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas raportit, udhëheqësit e KGJK-së kanë treguar përkushtim në avancimin e sundimit të ligjit, ndërkaq për Këshillin Prokurorial të Kosovës, sa i përket kësaj pjese, thuhet se ka rezerva në aftësi dhe përkushtim.
Në Raport specifikohet se pozita e kryeprokurorit të shtetit ende po ushtrohet nga ushtrues detyre, duke kërkuar kështu nga Këshill Prokurorial urgjentisht një proces të ri bazuar në meritokraci dhe transparencë.
Ndërkaq, procesi për rekrutimin e kryeprokurorëve në shumicën e prokurorive, sipas Raportit për vendin, nuk ka përmbushur standardet e përzgjedhjes bazuar në meritë dhe rregulloret përkatëse.
Raporti ka theksuar se KPK-ja duhet të zbatojë në tërësi Ligjin për plotësim/ndryshimin e Ligjit për KPK-në, duke u bazuar edhe në rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Për pavarësinë dhe paanshmërinë, Raporti i KE-së vlerëson se brenda sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor, kanë probleme që të kuptojmë këto dy parime.
Në Raport gjithashtu është specifikuar se ka raporte të tensionuara të qeverisë sidomos me sistemin prokurorial, mirëpo që në vazhdimësi duhet të promovohet respektimi i etikës.
Për llogaridhënie, Raporti ka potencuar se KGJK-ja dhe KPK-ja duhet të vazhdojnë me ndjekjen e procedurave disiplinore, duke i trajtuar të njëjtat me seriozitet të madh dhe se çdo sanksion të jetë në proporcion me shkeljen e konstatuar nga gjyqtari apo prokurori.
Në Raportin për vendin, thuhet se Gjykata Supreme ka ndërmarrë hapa për zbatim të ligjit- përfshirë publikimin e Udhëzimit për dënime dhe se nga KGJK-ja promovohet vazhdimisht publikimi i vendimeve gjyqësore me qëllim të rritjes së sigurisë juridike dhe transparencës.
Për Odën e Avokatëve dhe KGJK-në, thuhet se duhet të ndërmarrin masa konkrete që avokatët të përmbushin dhe ruajnë standardet e kërkuara profesionale dhe etike.
Për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, raporti vlerëson se ka pasur progres të kufizuar dhe se numri i kufizuar i noterëve serbë pengon në qasje në drejtësi, e që duhet të adresohet urgjentisht si problem.
Raporti i Komisionit Evropian po ashtu potencon se KGJK-ja ka ndërmarrë veprime konkrete për të përmirësuar normën e zgjidhjes së rasteve në të gjitha fushat, por mesatarja e rasteve të zgjidhura ka rënë lehtë krahasuar me vitin 2023.
Mirëpo, sipas raportit, vonesat në zgjidhjen e rasteve- sidomos në rastet e profilit të lartë të korrupsionit, mbeten një çështje madhore. Shtyrjet e shpeshta dhe shpesh të pajustifikuara, së bashku me menaxhimin e dobët të lëndëve, kontribuojnë në numër të lartë të seancave joproduktive dhe rigjykimeve. Kosova ka bërë “përparim të kufizuar” sa i përket luftimit të korrupsionit, thuhet në raport.
Në raport është kërkuar që KGJK-ja dhe KPK-ja të forcojnë komunikimin mes tyre, duke u përqendruar më shumë te krimet e rënda.
Lidhur me krimet e luftës, në raport është thënë se Prokuroria Speciale ka vazhduar me ngritjen e aktakuzave në përputhje me Kodin e procedurës penale dhe standardet e kërkuara ndërkombëtare e të përcaktuara nga Komisioni i Venecias.

