Rriten çmimet e derivateve në botë, Berjani tregon se a do të ndikojë në Kosovë
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka njoftuar për zhvillimet e fundit në tregun global të naftës dhe ndikimin e tyre në çmimet vendore. Ai për IndeksOnline ka theksuar se, pavarësisht rritjes së ndjeshme të naftës në bursat botërore, çmimet në Kosovë mbeten stabile dhe më të ulëta krahasuar me vendet e rajonit.
Sipas Berjanit, indeksi Crude Brent, që ndikon në çmimet ndërkombëtare të naftës, është rritur mbi 5%, duke u tregtuar rreth 65.85 dollarë për fuçi.
“Kjo rritje erdhi pas sanksioneve të reja amerikane ndaj kompanive kryesore ruse të naftës, që ngriti shqetësime për një furnizim më të kufizuar në nivel global. Në të njëjtën kohë, rezervat e naftës në SHBA ranë në mënyrë të papritur. Kombinimi i këtyre faktorëve ka ringjallur frikën për tregjet e energjisë dhe ka treguar se sa shpejt zhvillimet gjeopolitike mund të lëvizin çmimet e naftës” – ka theksuar Berjani.
Ai ka bërë të ditur edhe çmimet aktuale të derivateve në vend:
• Diesel: 1.17€ deri 1.26€ • Benzinë: 1.18€ deri 1.27€
Në krahasim me rajonin, Kosova vazhdon të ketë çmimet më të ulëta të derivateve, sipas të dhënave të Berjanit:
Shqipëri : • Dizel: 1.98 € • Benzinë: 1.99 €
Serbi: • Dizel: 1.88 € • Benzinë: 1.99 €
“Qytetarët tanë janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në rajon,” – ka deklaruar ai.
Berjani thekson se ndonëse në tregun botëror po vërehet rritje ekstreme e çmimit të naftës, në Kosovë çmimi mbetet stabil.
“Në tregun botnor nafta është duke u rritur ekstrem, por te ne në Kosovë çmimi është stabil. Faktorët janë embargoja e Trumpit ndaj kompanive më të mëdha ruse. Më vjen keq se çmimi nuk është duke rënë në tregjet ndërkombëtare, por është në rritje, ndërsa në Kosovë çmimi është stabil.” – ka thënë Berjani për IndeksOnline.
Sa i përket zhvillimeve në ditët në vijim, Berjani nuk parashikon ndryshime të menjëhershme në tregun kosovar:
“Çfarë çmime do të kemi në ditët në vijim, s’mundemi me paragjyku, sepse në bursë po ka rritje ekstreme të naftës, por te ne nuk ka rritje të çmimit,” – ka theksuar ai.
Në fund, ai ka bërë të ditur edhe të dhënat e fundit për çmimin e furnizimit:
“Sot, përafërsisht çmimi i furnizimit është 1.12 cent për dizellin, ndërsa me pakicë shitja është 1.17 cent. Qytetarët tanë janë duke u shërby me çmimet më të lira në rajon,” – ka përfunduar Berjani. /IndeksOnline/

