Pacolli si “shejtan budalla” që duhet të rrëfehet në SPAK
Shkruan Mero Baze
Biznesmeni Bexhet Pacolli po përpiqet të shfrytëzojë pozitën e re juridike dhe politike të krijuar për zëvendëskryeministren Balluku, për t’i shpëtuar përballjes së tij me drejtësinë dhe për të justifikuar degdisjen e aeroportit të Vlorës si kolateral në një konsorcium për të cilin ende qeveria shqiptare nuk ka dhënë miratim, regjistruar në një offshore në Benin.
Intervista e tij e fundit në “Opinion” tregon një “shejtan budalla” siç do të thoshin miqtë e tij turq, që bën sikur shpjegon gjithçka përveç atyre që duhet të shpjegojë.
Pyetjet që duhet t’u përgjigjet Bexhet Pacolli janë se kush qëndron pas aksionerit të regjistruar në Benin që ka marrë një hua 100 milionë euro nga një fond investimesh pa miratim të ortakut tjetër në aeroport, duke hipotekuar projektin e aeroportit dhe pse nuk e mbaron dot në kohë aeroportin tani që përfundon afati i koncesionit.
Përpjekja e tij për të shantazhuar qeverinë duke “shpjeguar” se si u ndanë aksionet në zyrën e zëvendëskryeministres, nuk i japin asnjë legjitimitet gënjeshtarëve të tij, përveçse e bëjnë të pandehur edhe për një çështje tjetër, përveç asaj që i është hapur si hetim në Prokurorinë e Tiranës.
Pas deklaratave të tij qeveria shqiptare duhet të përgatitet në marrjen në kontroll të koncesionit dhe të finalizojë përfundimin e aeroportit që ka rëndësi strategjike për Shqipërinë, ndërsa Pacolli duhet të ndërrojë zyrën ku thirret nga Prokuroria e Tiranës në SPAK për të provuar që e paska marrë kontratën në tavolinë dhe jo në garë.
Skenari i tij për të diskredituar procedurën e kontratës së aeroportit është një përpjekje e dëshpëruar duke shpresuar se zonja Balluku tani i ka pozitat e dobëta para drejtësisë dhe ky mund të duket që është në anën e atyre që i janë bërë padrejtësi.
Problemi që ka Pacolli përveç gënjeshtrave në këtë rast, është se ai ka nënshkruar kontratë legale për rindarje të aksioneve dhe ato nuk i ka bërë në zyrën e zonjës Balluku por para noterit. Negociatat se si i kanë ndarë ata aksionet pasi janë shpallur fitues natyrisht që është pazar aksionerësh, por të gjitha duhet të miratohen nga Ministria përkatëse që drejtohet nga zonja Balluku. Nuk është se çudit njeri për debate të tilla. Ai duhet ta vendosë këtë debat në kohë dhe jo ta tregojë siç tregon pallavrat për Nazarbajevin në Kazakistan apo Putinin në Rusi, si njeri i afërt i tyre.
Duke qenë se çdo lëvizje aksionesh miratohet nga Ministria është normale që ata të shkojnë t’i mbrojnë lëvizjet e aksioneve para ministres, por kjo nuk e bën Pacollin as të pafajshëm dhe as të diskriminuar, për më tepër që po përpiqet të ruajë në mënyrë fiktive 98 për qind të aksioneve duke na e hipotekuar aeroportin në offshore.
Çdo fjalë e thënë prej tij është vepër penale dhe e bën atë subjekt të SPAK. Ai thjeshtë duhet të paraqitet atje dhe të dëshmojë ku e ka shitur aeroportin, a qëndrojnë rusët pas kompanisë në Benin dhe pse nuk ka shkuar në zyrën e Ministrisë për të dëshmuar që po merr një hua 100 milionë euro nga një fond i huaj investimesh për të hipotekuar aeroportin. Pastaj nëse ata e lënë të lirë të fluturojë natyrisht që nuk shkel më në Shqipëri as si “shejtan” dhe as si budalla. As në Aeroportin e Vlorës që nuk duhet të jetë më i tij.

