75 Mall Live Search
13:25 / E Diele, 09 Nëntor 2025 / S Z

“Përplasje” në një qendër votimi në Gjakovë, qytetarja nuk lejohet të asistojë prindërit

Një problem është evidentuar në shkollën “Fehmi Agani” në komunën e Gjakovës ku një qytetare, që kishte prindërit në moshë nuk iu lejua që t’i asistoi prindërit e saj deri tek kutia e votimit.

Sipas saj, kryesuesi i klasës nuk e ka lejuar për shkak se nuk kishte dokumente për të vërtetuar se prindërve të saj u duhet asistencë, e as një doktor me vete.

Prindërit e saj, kanë nënshkruar e gjithashtu gishtërinjve iu janë bërë me shenjë, porse nuk kanë votuar dhe vota u ka shkuar dëm.

Ndërsa kryesuesi i klasës tha se pas fjalosjes me qytetaren, prindërit votuan pa nevojë për asistencë.

Qytetarja e cila nuk dëshirojë të tregonte emrin e mbiemrin, tha se është hera e tretë që po ndodh ky problem.

Ajo tha se as ajo dhe as prindërit nuk votuan.

Ajo kërkoi edhe doktorët që të jenë prezent aty.

Nuk më kanë lënë me votua se kanë thënë pa lejen e mjekut, dokumente në tavolinë unë nuk kam pasur të mjekut, hera e tretë e njëjta procedurë.. unë vetëm përcjelle deri tek kabina, nuk kam nevojë unë me votuar për ta, këta e dinë për kë votojnë. Ku me votua na tash, unë duhet me i dërgu në shtëpi, nuk kam si me votua. Me thanë fola me KQZ, KQZ tha pa dokument të mjekut, pse nuk e sjellni nga një mjek këtu.. këta i kanë qit gishtat.. pse nuk i keni lënë këtu doktorët, ku janë doktorët”, tha ajo.

Ndërsa, kryesuesi i klasës, i cili nuk u lejua të flas për media nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mbrapa kamerës u shpreh se prindërit e moshuar votuan pa nevojën e asistencës së qytetares.

Ai tha se çdo gjë do të vërtetohet në KQZ me emër e mbiemër.

“Pa dokument nuk bënë. Ata kanë votu pastaj në mënyrë të rregullt vetëm. Ky problem ka qenë edhe në herën e parë parlamentare.. është dokumentacioni të gjitha janë të evidentuara, raportin e bëj, lista e votuesve është. Një punëtore e ndihmoi me nënshkruar me ia mbajtë dorën.. çdo gjë vërtetohet në KQZ me emër mbiemër”, tha ai.

Qytetarja i shprehi shqetësimin e saj edhe kandidatit për kryetar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetarit aktual, Ardian Gjinit porse ky i fundit i tha se kjo çështje nuk është në dorën e tij.

“Nuk kam çka të bëj përbesë, unë jam duke votuar tash.. nuk mundem tash, nuk i bej unë këto lista”, tha Gjini.

Përndryshe në Gjakovë të drejtë vote kanë 121,821 qytetarë.