Balotazhi, Arian Tahiri i PDK-së ankohet se ka pasur tendenca për tension në Mitrovicë
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri ushtoi të drejtën e tij për të votuar dhe ftoi mitrovicasit që edhe ata të votojnë dhe të vendosin për të ardhmen e këtij qyteti.
Tahiri pasi votoi tha se 9 nëntori është ditë e rëndësishme për Mitrovicën.
“Është ditë e rëndësishme për qytetin e Mitrovicës, për qytetarët e Mitrovicës. Qytetarët e Mitrovicës e shprehin vullnetin e tyre të lirë në këtë ditë dhe vendosin për qeverisjen e ardhshme në katër vjetshin e ardhshëm….Ftoj gjithë qytetarët e Mitrovicës që ta realizojnë të drejtën e tyre për të votuar sot në mënyrë të lirë dhe të vendosin për të ardhmen e qytetarëve dhe qytetit tonë”, tha ai.
Derisa tha se sot procesi zgjedhor në këtë komunë po shkon mirë, Tahiri shtoi se mbrëmë ka pas presion deri në orët e hershme të mëngjesit dhe me këto raste po merren organet kompetente.
“Është e vërtetë se ka pas tendenca për të bërë tension dhe presion edhe mbrëmë deri në orët e hershme të mëngjesit ka pas lëvizja të makinave të cilat janë raportuar në Polici, pjesa dërmuese e tyre kanë qenë me 01. Pra, është pjesë dhe çështje që unë besoj që organet kompetente e kanë bërë punën e vetë dhe janë duke e bërë punën e vetë. Kështu besoj tek Policia e Kosovës, besoj tek organet kompetente besoj se do të ketë zgjedhje të lira…Në bazë të informacioneve që unë kam gjithçka ka qenë në rregull”, tha ai.
Raundi i dytë po mbahet në 18 komuna të vendit.

