Vjen reagimi i parë nga PDK/ Gjoshi: PDK fitoi 6 komuna dhe 206 asambleistë duke u konfirmuar alternativa më e mirë për qytetarët
Sekretari për organizim dhe zgjedhje në Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, tha se Partia Demokratike e Kosovës e përmbyll këtë proces zgjedhor me një rezultat të jashtëzakonshëm me 187,526 vota, fitore në gjashtë komuna dhe 206 asamblistë.
“PDK dëshmon se është forca më e votuar dhe më e organizuar në nivel vendi. Ky rezultat është reflektim i besimit të qytetarëve, i punës së palodhshme në terren të mijëra aktivistëve të PDK-së dhe i lidershipit të partisë nën udhëheqjen e kryetarit Memli Krasniqi”, tha Gjoshi.
Ai ka theksuar se këto zgjedhje treguan se PDK është jo vetëm alternativa më serioze qeverisëse, por edhe forcë politike me vizion të qartë për Republikën e Kosovës.
“Rezultatet e PDK-së do të ishin edhe shumë më të mira, sikur gara të ishte e barabartë, e ndershme dhe sipas ligjit. E tërë makineria shtetërore e uzurpuar dhe mbajtur peng nga Albin Kurti dhe Vetëvendosje, qëndroi pandërprerë për dy muaj në Mitrovicë, për të shënuar një epërsi kaq të vogël në rezultat. A s’është kjo një dëshmi e mjaftueshme se qytetarët e Kosovës janë duke e njohur kaq mirë uzurpatorin?! Ariani është modeli që përfaqëson PDK. Të gjithëve në PDK na ka bërë krenar këta muaj. Ai ka prezantuar në mënyrë shembullore vlerat e një partie shtetformuese përballë një partie anti-shtet që qëndron paligjshëm në ndërtesën e Qeverisë së Kosoës. Nëse gara do të ishte e barabartë, qoftë për një ditë të vetme, Ariani sot do të ishte kryetari më i ri në Kosovë”, tha Gjoshi.
“Njejtë në Kaçanik dhe Prizren, por këtu nuk u mjaftuan vetëm me xhipat e zinj të uzurpuar të shtetit të Kosovës. I ftuan në ndihmë edhe patericat e Mickoskit. Megjithkëtë, Sabedini dhe Shaqa të PDK-së i mposhtën dy qeveri: Qeverinë e Kosovës dhe Qeverinë e Maqedonisë së Mickoskit”, tha Gjoshi.
Rezultati në Vushtrri, sipas tij, është një fitore e Ferit Idrizit të PDK-së jo vetëm ndaj një kandidati me emër të veçantë, por një fitore përballë Albin Kurtit, kumbarës së koalicionit me një pazargji tjetër të radhës që e kishte peshkuar.
“Në një vend normal demokratik, nuk mund të merren me mend pamjet e ditës së diel, ku dikush përdorë makinerinë shtetërore për të qarkulluar nëpër komuna dhe për të ushtruar presion mbi votuesit, duke ndikuar në procesin zgjedhore dhe duke minuar parimin themelor të zgjedhjeve të lira dhe të ndërshme. S’mund të merret me mend as pamja në mes të kryeqytetit të Kosovës e xhandarit Sveçla, që fotografoi një qytetar të Kosovës”, tha ndër të tjera Gjoshi.
Pamjet e ditës së zgjedhjeve, sipas tij, i arsyeton vetëm paligjshmëria në të cilën noton Albin Kurti dhe Vetëvendojse, e që janë bërë përditshmëri për këtë kastë politike antishtetërore, por që kurrë s’do të bëhen pamje normale për qytetarët që e duan shtetin e Kosovës.
“Zgjedhjet e reja janë rruga e radhës për t’i larguar uzurpatorët e shtetit, që për kohën kur ishin në opozitë historia i njeh si kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës, e kur erdhën në Qeveri si uzurpatorë dhe parti anti-shtet që ia shkatërruan aleancat dhe duan ta bëjnë Kosovën shtet të dështuar”, tha Gjoshi.

