75 Mall Live Search
12:13 / E Hënë, 10 Nëntor 2025 / AR

A po ndikon ndarja e Ledionit me Sara Hoxhën në sezonin e ri të “BBVA”?

Një ditë më parë, morëm lajmet më të fundit nga Big Brother VIP Kosova. Reality show nis transmetimin të hënën e ardhshme, më 17 nëntor. Tashmë i gjithë fokusi kalon te misteri më i madh: Cilët do të jenë banorët VIP që do të sfidojnë njëri-tjetrin për çmimin e madh këtë vit?

Ndërkohë që ditët po i numërojmë mbrapsht për nisjen e show-t në Kosovë, në Shqipëri ka rënë “heshtja” për BBVA. Sot është 10 nëntor, dhe ende asnjë njoftim nga produksioni apo faqja zyrtare për datën e nisjes së këtij formati që pritet me shumë padurim nga publiku shqiptar dhe jo vetëm.

Pyetjet janë të shumta: Pse nuk po lajmëron askush datën e nisjes? A do të nisë? Mos vallë ndarja mes Ledion Liços dhe Sara Hoxhës, që po përflitet prej kohësh, ka ndikuar në fillimin e “BBVA”? A do ta prezantojë sërish Ledioni? Shumë pyetje, por deri më tani asnjë përgjigje.

Le të ndalemi pak te ndarja e përfolur. Prej muajsh thuhet se dyshja e njohur janë ndarë, dhe se marrëdhëniet mes tyre janë ftohur ndjeshëm. Burime për Iconstyle pohojnë se në festën e organizuar së fundmi nga “Top Media”, Sara dhe Ledioni nuk u panë askund pranë njëri-tjetrit, ndryshe nga Lori Hoxha, e cila shihej shpesh pranë Ledionit gjatë eventit.

Edhe pse datë startimi për Big Brother VIP Albania ende nuk kemi, në rrjet po qarkullojnë emra të shumtë personazhesh të njohur që mund të bëhen pjesë e këtij edicioni. Pyetja “Nëse do të vinte ftesa për t’u futur në Big, do pranoje?” është bërë tashmë refren në çdo intervistë të personazheve publikë.

Datë nuk kemi, të paktën deri më sot. Megjithatë, fansat shpresojnë që në ditët në vijim, produksioni të dalë me një njoftim zyrtar dhe të zbulojë çfarë po “zihet” pas dyerve të shtëpisë më të madhe në vend. Deri atëherë, mbetet vetëm pritja dhe kureshtja për të parë nëse “heshtja” e Top Channel është thjesht strategji, apo shenjë e ndryshimeve të mëdha që po vijnë në BBVA 5.