75 Mall Live Search
09:56 / E Martë, 11 Nëntor 2025 / A

Anëtar i PDK-së në KQZ: Nëse vërtetohet manipulimi në Mitrovicë -Jug unë s’votoj për certifikim të rezultateve!

Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi ka reaguar për siç tha ai dyshimet për “trenin bullgar” në Mitrovicë.

Sipas tij, kjo është një alarm serioz për demokracinë dhe integritetin e procesit zgjedhor.

“Këto çështje nuk mund të trajtohen vetëm si raste penale, sepse problemi është shumë më i thellë, është politik, institucional dhe lidhet drejtpërdrejt me besimin e qytetarëve në votë. Cenimi i vullnetit të qytetarëve nuk mund të përfundojë vetëm në rrafshin e një vepre penale.

Nëse organet e drejtësisë vërtetojnë se është manipuluar vullneti i qytetarëve të Mitrovicës, unë, si anëtar i KQZ-së, nuk do të votoj dhe as nuk do të certifikoj rezultatin zgjedhor në këtë komunë. Askush nuk ka të drejtë të përvetësojë zërin e qytetarëve për interesa të ngushta politike.

Kodimi i fletvotimit për çdo vendvotim ka pasur një qëllim të qartë dhe të drejtë: të ndalojë manipulimet, të prishë “shinat e trenit bullgar” dhe të mbrojë integritetin e votës.

Prandaj, kërkoj hetim të plotë, të paanshëm dhe vendim të drejtë për votuesit e Republikës së Kosovës. Demokracia nuk mund të mbijetojë mbi mashtrime dhe manipulime, ajo mbrohet vetëm me të vërtetën dhe drejtësinë”, ka shkruar ai. /Indeksonline/