75 Mall Live Search
11:20 / E Martë, 11 Nëntor 2025 / Z S

Dyshimet për fletëvotime, Qendra Komunale e Numërimit në Mitrovicë-Jug vazhdon të jetë e mbyllur

Dyert e Qendrës Komunale të Numërimit (QKN) në Komunën e Mitrovicës Jugore janë mbyllur të martën.

Kjo pas vendimit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, e cila në mesnatë ka urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të procesit të numërimit të fletëvotimeve.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se procesi do të mbetet i pezulluar derisa të merret një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletëvotimet, për të sqaruar nëse bëhet fjalë për gabim teknik apo manipulim të qëllimshëm.

Indeksonline ka vizituar këtë qendër, mirëpo dyert e saj sot janë parë të mbyllura.

Madje as ndonjë përson zyrtar deri në këto momente nuk ka pranuar të fliste lidhur me këtë rast.

Indeksonline mëson se për t’u rinumëruar kanë mbetur 80 kuti të votimit.

Lidhur me këtë rast, mbrëmë është deklaruar edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili ka sqaruar se fletëvotimet e dyshuara janë rezultat i një gabimi teknik.

 “Pas shqetësimeve të ngritura në opinion lidhur me zhvillimet gjatë procesit të verifikimit të rezultateve në Qendrën Komunale të Numërimit në Komunën e Mitrovicës së Jugut, KQZ-ja sqaron: Bazuar në informatat e pranuara nga komisionet komunale të zgjedhjeve në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut, është konstatuar se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve ka ndodhur një gabim në shtypjen e njërit prej elementeve të fletëvotimit, konkretisht në kodin e vendvotimit”, tha KQZ-ja në njoftimin për media.

Në balotazhin e të dielës, sipas rezultateve preliminare, në Komunën e Mitrovicës Jugore ka fituar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, përballë kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri.