Pjesëtarë të Njësisë Speciale po vazhdojnë të qëndrojnë te Qendra e Numërimit të Votave në Mitrovicë-Jug
Pjesëtarët e Njesisë Speciale të Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë te Qendra e Numërimit të Votave në Mitrovicë të Jugut.
Në pamjet e siguruara nga Indeksonline shihet një numër i madh i tyre që po qëndrojnë afër kësaj qendre.

Indeksonline mëson se kjo qendër vazhdon të jetë e mbyllur që nga nata e mbrëmshme pas vendimit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, e cila në mesnatë ka urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të procesit të numërimit të fletëvotimeve.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se procesi do të mbetet i pezulluar derisa të merret një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletëvotimet, për të sqaruar nëse bëhet fjalë për gabim teknik apo manipulim të qëllimshëm.
Lidhur me këtë rast, mbrëmë është deklaruar edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili ka sqaruar se fletëvotimet e dyshuara janë rezultat i një gabimi teknik.
Në balotazhin e së dielës, sipas rezultateve preliminare, në Komunën e Mitrovicës Jugore ka fituar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, përballë kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri./Indeksonline/

