“Nga rezoluta në veprim: 25 vjet nga kur gratë transformojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë”
Në forumin e EULEX-it në bashkëpunim me Shoqatën e Grave në Policinë e Kosovs, me temën “nga rezoluta në veprim, 25 vjet nga kur gratë transformojnë paqen dhe sigurinë e Kosovës”, u tha se barazia dhe të drejtat e njeriut janë shtylla themelore e Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, përkundër arritjeve në këtë forum u tha se sfidë mbetet dhuna ndaj grave.
Në event pjesëmarrëse ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila tha se Kosova ka dëshmuar përgjatë viteve se mund të jap shumë në këtë fushë.
Osmani tha se barazia dhe të drejtat e njeriut janë shtyllat themelore të Republikës së Kosovës.
“Kosova ka dëshmuar përgjatë viteve se mund të jap shumë në këtë fushë pavarësisht periudhave të vështira e të errëta që përjetoi populli ynë gjatë luftës, ne arritëm që të ringrihemi dhe të ndërtojmë lirinë, falë forcës guximit dhe përkushtimit të grave dhe burrave tanë.
Republika e Kosovës tashmë është shëndrruar në sinonim të agjendës për gratë, paqen e sigurinë, si pjesë e angazhimit tonë të vazhdueshëm shtetëror. Sot me krenari shohim pjesëmarrjen gjithnjë në rritje në sektorin e sigurisë, gjersa kujtojmë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e lirisë dhe shtetformimit e shtetndërtimit, dhe fuqizimit të institucioneve tona në vazhdimësi.
Barazia dhe të drejtat e njeriut janë shtyllat themelore të Kosovës dhe njëkohësisht parimet udhëheqëse në zbatimin e kësaj agjende. Këto janë vlerat mbi të cilat funksionon edhe qendra rajonale e ekselencës për gratë paqen dhe sigurinë në Kosovë. Progresi i arritur nuk duhet të na përmbushë meqenëse sfidat akoma mbeten prezentë, sidomos në arritjen e përfaqësimit të barabartë në pozita të larta menaxheriale. Ju besoj e vërejtët që në fillim se gati të gjithë që i përshëndeta në krye të institucioneve, ishin burra, do të punojmë së bashku që edhe kjo të ndryshojë”, tha Osmani.
Ndërsa Shefi i EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, tha se me mbështetjen e EULEX-it, themelimi i Shoqatës së Grave në Polici dhe në Shërbimin Korrektues ka qenë një arritje e madhe që ka nxitur solidaritetin dhe rritjen profesionale.
Barbano, tutje tha se një ndër sfidat kryesore ende është dhuna ndaj grave, parandalimini së cilës sipas tij është një nga prioritetet kryesore.
“Ndërsa shënojmë 25-vjetorin e Agjendës së Grave, Paqes dhe Sigurisë, ne mblidhemi për të reflektuar mbi progresin që kemi arritur dhe për të nxjerrë mësime nga e kaluara. Nën udhëheqjen e presidentes Vjosa Osmani, Kosova është shfaqur si një shembull i përfshirjes së grave në dialogun për paqe.. Në institucionet korrektuese, lidershipi i grave ruan procesin e rehabilitimit dhe forcon paqen e bazuar në drejtësi. Me mbështetjen e EULEX-it, themelimi i Shoqatës së Grave në Polici dhe në Shërbimin Korrektues ka qenë një arritje e madhe që ka nxitur solidaritetin dhe rritjen profesionale. Përkundër arritjeve, sfidat vazhdojnë. Parandalimi i çdo forme të dhunës ndaj grave mbetet një nga prioritetet tona kryesore”, tha ai.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë se Kosovës, Gazmend Hoxha tha se vetë prania e tyre është dëshmi e konfirmimit se vendosja e grave në rolin e paqes dhe sigurisë është një realitet.
Hoxha tha se gratë në Policinë e Kosovës kanë dëshmuar se përmes inteligjencës dhe profesionalizmit të tyre, kanë arritur të ndërtojnë besim dhe siguri në të gjithë komunitetin.
“Vetë prania jonë sot është dëshmi e konfirmimit se vendosja e grave në rolin e paqes dhe sigurisë është një realitet. Duke filluar me vetëm 36 gra police në vitin 1999, sot kemi 1 mijë e 503 gra, që përfaqësojnë 15.8% të forcës sonë policore. Gratë në Policinë e Kosovës kanë dëshmuar se përmes inteligjencës dhe profesionalizmit të tyre, kanë arritur të ndërtojnë besim dhe siguri në të gjithë komunitetin. Guximi dhe profesionalizmi i tyre e kanë bërë shtetin e Kosovës më të fortë”, tha ai.
E drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibran theksoi se përfshirja e grave në Shërbimin Korrektues ka ndikuar në forcimin e këtij institucioni, ku dhjetëra prej tyre udhëheqin burgje e departamente të rëndësishme.
Tutje, Dibrani tha se SHKK-ja është institucioni i vetëm në Kosovë që është pranuar në Rrjetin e Burgjeve të Evropës, falë përkushtimit të grave, edhe pse vendi ynë ende nuk është anëtar i BE-së.
“Kjo rezolutë është thelbësore për forcimin e rolit të grave në institucionet e Kosovës. Shpesh, institucionet e sigurisë janë përceptuar si të dominuara nga burrat, por në praktikë janë gratë ato që luajnë një rol jetik, sidomos në promovimin e të drejtave të njeriut.
Ne kemi ftuar dhe inkurajuar gratë të marrin role udhëheqëse, dhe sot kemi dhjetëra prej tyre që udhëheqin burgje dhe departamente të rëndësishme. Sot, SHKK-ja është institucioni i vetëm në Kosovë që është pranuar në Rrjetin e Burgjeve të Evropës, edhe pse vendi ynë ende nuk është anëtar i BE-së. Falë përkushtimit të grave tona, ndjejmë krenari që jemi renditur përkrah vendeve si Singapori dhe Finlanda”, tha Dibrani.

