75 Mall Live Search
09:31 / E Mërkurë, 12 Nëntor 2025 / KV

Policia sekuestron disa armë zjarri në Prishtinë dhe në Obiliq

Policia e Kosovës ka raportuar tri raste të ndara të armëmbajtjes pa leje, të regjistruara gjatë ditës së martë, më 11 nëntor 2025, në Prishtinë dhe në Obiliq.

Në rastin e parë, që ndodhi në Obiliq rreth orës 08:45, njësitet policore ndaluan një automjet me targa vendore, të cilin e drejtonte një person kosovar. Gjatë kontrollit, në automjet u gjet një armë e zjarrit e tipit “HS” me një karikator që përmbante 17 fishekë. Armëmbajtësi posedonte leje vetëm për qëllime të shenjëtarisë, jo për bartje të armës. Pas intervistimit, i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Rasti i dytë u regjistrua në Prishtinë, rreth orës 10:00, ku gjatë kontrollit ndaj një personi tjetër kosovar, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë dhe një karikator me 5 fishekë. I dyshuari u arrestua dhe me vendim të prokurorit u dërgua në mbajtje.

Ndërsa në Obiliq, rreth orës 12:00, gjatë zbatimit të një urdhër kontrolli lidhur me një rast penal, policia sekuestroi një pistoletë me gaz dhe një karikator me 3 fishekë nga një person tjetër kosovar. Ky rast është proceduar në procedurë të rregullt në konsultim me prokurorin.

Policia e Kosovës thekson se kontrollet për parandalimin e armëmbajtjes pa leje do të vazhdojnë në të gjitha komunat e vendit./IndeksOnline/