Mbrojtja: Durkee do të tregojë se dhuna e ’99-ës s’ishte e kontrolluar nga UÇK-ja dhe se Thaçi s’kishte motiv ta nxiste
Ish-këshilltari politik i Gjeneralit Wesley Clark, Michael Durkee sipas mbrojtjes së Thaçit, do të tregojë se dhuna e përhapur në Kosovë gjatë 1999-ës ishte spontane dhe s’mund të kontrollohej nga UÇK-ja.
Madje, sipas avokates Nina Tavakoli, dëshmitari do të tregojë se Thaçi s’kishte motive ta nxiste këtë dhunë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Udhëheqja e UÇK-së nuk ishte në gjendje që ta kontrollonte dhunën pjesërisht sepse emocionet e personave që u larguan ishin kaq të forta saqë ishte e vështire të kontrollohej dhe për shkak se UÇK-ja nuk kishte një linjë komanduese të fort. Sipas zotit Durkee, Thaçi s’kishte asnjë motiv që të nxiste dhunën nga ana e UÇK-së por bëri çdo përpjekje të mundshme për t’i zbutur rastet e dhunës sepse nëse do të urdhëroheshin akte dhunë sidomos etnike, kjo rrezikonte marrëdhëniet me ndërkombëtarët, me të cilët Thaçi e kërkonte që ta kishte marrëdhënien e mirë”, tha Tavakoli.
Ajo tha se Durkee ka qenë këshilltar politik për katër komandantë të lartë të NATO-s në Evropë për disa vite.
“Oficer i shërbimeve të huaja amerikane i cili është në pension i cili ka qenë këshilltar politik për katër komandant të lartë tëNATO-s në Evropë nga 1993-2009 duke përshirë që ka qenë edhe Këshilltar i Wesley Clark. E kishte përgjegjësi t’iu jepte këshillat gjeneralit Clark edhe oficerëve të lartë të NATO-s. Shërbeu si oficer ndërlidhës për ambasadorët e NATO-s si dhe me aktorët në terren në Kosovë”, tha ajo.
Ndërsa, për Thaçin dhe delegacionin e Kosovës në Rambuje, Tavakoli tha se Durkee do të tregojë se ai dhe gjeneral Clark krijoi përshtypje se UÇK-ja dëshironte pavarësinë e Kosovës por nuk kishte një strategji të qartë ushtarake.
“Në kuadër të përgjegjësive të tij, zoti Durkee ka marrë pjesë në një takim në mes gjeneralit Clark dhe delegacionit shqiptar të Kosovës në Rambuje ku ka komunikuar me zotin Hashim Thaçi. Gjenerali Clark dhe Michael Durkee krijuan përshtypje se udhëheqësit e UÇK-së donin pavarësinë e Kosovës por nuk kishin një strategji të qartë ushtarake. Nuk kishin mundësi ta realizonin këtë qëllim”, tha ajo.
Avokatja Tavakoli tha se Durkee do të tregojë se lufta e përhapur në Kosovë pas konfliktit ka qenë më shumë një reagim social spontan që s’mund ta kontrollonte as KFOR-i dhe as UÇK-ja.
“Zoti Durkee do të japë komentet e veta lidhur me dhunën pasluftës që gllabëroi Kosovën në verën e 1999-ës. Sipas tij, ka qenë një reagim social i cili ka qenë i shtrirë gjithandej e që nuk mund ta kontrollonte as KFOR-i dhe as UÇK-ja. Nuk ishte e koordinuar nga lart, por një reagim spontan i motivuar nga dëshira për hakmarrje dhe gjakmarrje”, shtoi ajo.

