Basha takon përfaqësuesin e Komisionit Evropian, diskuton për buxhetin dhe Marrëveshjen për Planin e Rritjes
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka pritur sot në takim Shefin e Divizionit për Kosovë pranë Komisionit Evropian, Jiri Plecity, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike e ekonomike në vend.
“Sot mirëprita në takim Shefin e Divizionit për Kosovë pranë Komisionit Evropian, z. Jiri Plecity dhe ekipin e tij. Gjatë takimit e njoftova z. Plecity për sfidat politike lidhur me miratimin e Buxhetit për vitin 2026, përfshirë buxhetin për RTK-në dhe për tri komunat: Zveçan, Gjilan dhe Prishtinë”, ka shkruar Basha në Facebook.
Ai ka bërë të ditur se temë e rëndësishme e diskutimit ka qenë edhe ratifikimi i Marrëveshjes për Planin e Rritjes dhe Agjendën e Reformave, për të cilën palët janë pajtuar se përfaqëson një interes të përbashkët kombëtar.
“Të dy palët ndamë bindjen se këto iniciativa nuk i përkasin ndarjeve politike, por përfaqësojnë një interes të përbashkët kombëtar – zhvillimin e vendit, përmirësimin e jetës së qytetarëve, si dhe përshpejtimin e vendit tonë në rrugën drejt familjes evropiane”, ka theksuar ai.
Basha ka shprehur mbështetjen e tij për procedimin e marrëveshjes nga Presidentja dhe për trajtimin e shpejtë të saj në Kuvend, duke kërkuar që Plecity të zhvillojë takime edhe me përfaqësuesit e të gjitha partive politike.
“Rikujtova se qëllimi ynë mbetet avancimi i reformave dhe stabilitetit për të mirën e qytetarëve të Republikës”, ka shtuar Basha.

