75 Mall Live Search
20:08 / E Mërkurë, 12 Nëntor 2025 / Z S

Filmi i vrasjes në Rinas! Nga Barcelona në Tiranë, si u spiunua dhe u ekzekutua Gilmando Dani

Vetëm 55 sekonda i mjaftuan autorëve për të kryer ekzekutimin mafioz të Gilmando Danit në Rinas. Atentat ku mbeti i plagosur edhe agjenti i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Mustafa Sheqeri. 

Në videon e siguruar nga A2CNN shfaqet momenti i sulmit ndaj automjetit tip “Mercedes Benz S-Class”, me të cilin udhëtonte Dani.

Në pamje shihet një automjet tjetër i ndaluar në anë të rrugës, që më pas rezulton të jetë përdorur për pritën, raporton A2 CNN.

Sapo automjeti i Danit afrohet pranë vendit të ngjarjes, tre persona dalin me shpejtësi nga makina e ndaluar dhe hapin zjarr në drejtim të mjetit të viktimës, duke zbrazur karikatorët e armëve automatike. Makina e Danit ndalon disa metra më tej, ndërsa autorët afrohen përsëri.

Më pas autorët janë larguar në drejtim të Krujës dhe në fshatin Halil kanë djegur makinën me 4 armë zjarri brenda. Autorët kanë ndjekur të njëjtin itinerar kur kanë shkuar në Rinas dhe kur janë larguar.

Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri sapo ishin kthyer nga Barcelona dhe kishin mbërritur në aeroportin e Rinasit aty ku kishin parkuar edhe automjetin që prej datës 7 nëntor kur ishin nisur drejt Spanjës.

Një nga personat, që dyshohet të ketë pasur rolin e vëzhguesit dhe informatorit, është identifikuar nga policia e Tiranës. Kjo pasi ai është parë të ruante viktimën dhe të plagosurin që nga momenti kur dalin nga aeroporti. Dhe përgjatë kohës njoftonte personat që ndodheshin në automjetin tip Toyota. Ka dyshime te forta se informacioni për autorët ka ardhur nga Barcelona që nga momenti që Dani dhe Sheqeri janë nisur për t’u kthyer në Shqipëri.

“Një ditë pas atentatit në Rinas, ende në këtë zonë vijojnë të qëndrojnë gjurmë të ngjarjes së rëndë. Në vendngjarje ka akoma predha plumbash, ndërkohë vijojnë të lëvizin qytetarë si shqiptarë, por edhe të huaj në aeroportin e Rinasit, të cilët ende ndjejnë panikun dhe frikën e ngjarjes së rëndë”, raporton nga vendngjarja gazetari i A2 CNN Igli Çelmeta.

Predhat e plumbave gjenden ende në skenën e krimit, ndërsa ajo që një ditë më parë ishte vendngjarje, të mërkurën i është kthyer normalitetit.  Në vendin ku u vra Glimando Dani dhe u plagos Mustafa Sheqeri, qytetarët, shqiptarë e të huaj që kanë punë me aeroportin qarkullojnë si çdo ditë tjetër, por jo aq të qetë si zakonisht.

“Pikërisht aty te vizat e bardha, ku duhet të kalojnë qytetarët që vijnë nga aeroporti i Rinasit, kanë nisur të shtënat e parë me armë zjarri, ku autorët janë afruar drejt automjetit tip Benz dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash”, raporton nga vendngjarja gazetari i A2 CNN Igli Çelmeta.

I plagosuri Mustafa Sheqeri, punonjës i AMP-së ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Këtë të martë Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së, Eduart Merkaj pezulloi zinxhirin komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale. Po ashtu u ndaluan dy efektivë policie te komisariatit nr.3 pasi akuzohen se kanë falsifikuar vulat e stampave dhe formularët, në rastin e përpilimit të Vërtetimit të Besueshmërisë për Mustafa Sheqerin./Indeksonline