75 Mall Live Search
14:00 / E Hënë, 08 Qershor 2026 / Z S

Vrasja e djeshme, spitali në Gjakovë jep detaje

Spitali i përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, ka dhënë detaje në lidhje me gjendjen shëndetësore të katër të lënduarve nga përleshja e djeshme në Gjakovë, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë.

Ata kanë thënë se mbrëmë rreth orës 21:30, në Shërbimin e Emergjencës të Spitalit të përgjithshëm të Gjakovës janë pranuar katër persona të lënduar, të shoqëruar nga familjarët e tyre.

Nga ky spital ka njoftuar se njëri prej pacientëve është dërguar pa shenja jete dhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të stafit mjekësor, ai nuk ka arritur të mbijetojë si pasojë e lëndimeve të rënda të pësuara.

“Pacienti i dytë është hospitalizuar dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy pacientët e tjerë, pas trajtimit dhe ekzaminimeve të nevojshme mjekësore, janë liruar për trajtim të mëtejmë në kushte shtëpiake. Stafi mjekësor ka reaguar menjëherë dhe ka ofruar kujdesin e nevojshëm shëndetësor për të gjithë pacientët e pranuar. Për informata shtesë lidhur me rastin, kompetente janë organet e hetuesisë”, kanë thënë nga ky spital.

Në lidhje me rastin, policia ka njoftuar se viktima ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga thika, ndërkaq Prokuroria ka njoftuar sot se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.