75 Mall Live Search
20:55 / E Mërkurë, 12 Nëntor 2025 / Z S

Votat në Mitrovicë: 75 fletë të dyshimta, tash i heton prokuroria

Votat e qytetarëve për kryetar të Mitrovicës që u hodhën më 9 nëntor në kuti, u numëruan e verifikuan tek tri ditë më vonë.

Edhe gjatë të mërkurës, stafi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Qendrën e Numërimit në këtë komunë gjetën mospërputhje të kodeve serikë të fletëvotimeve me ato të qendrave të votimit.

Në mesin e krejt votave që u verifikuan, nga KKZ-ja e deklaruan shifrën e atyre që e patën të njëjtin gabim, raporton Klan Kosova.

Rrugëtimi i formularëve që qenë më ndryshe nuk ka përfunduar. Sepse me to tash do të merret edhe prokuroria.

Në QNR të pranishëm ishin edhe anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani e Ilir Gashi.

Ky i fundi konsideron se mitrovicasit duhet ta kryejnë edhe një herë obligimin qytetar.

Ekipet mediale që ishin në Qendrën e Numërimi në Mitrovicë kontaktuan edhe Sami Kurteshin e Vetëvendosjes, por ai tha se nuk ka informacion dhe nuk mund të deklarohet. .